Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka ndërruar masën e paraburgimit Naser Hafizit, ushtrues i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, me atë të arrestit shtëpiak. Hafizi ndodhej në paraburgim nga tetori i vitit të kaluar, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash e mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë. Për aferën e ambalazhuesve të ujit kishte raportuar edhe KOHA në maj të 2023-tës
Nga paraburgimi, Naser Hafizi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe Infrastrukturës është dërguar në arrest shtëpiak.
Ndryshimi i masës nga Gjykata Themelore në Prishtinë u bë me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Kjo masë do të mbetet në fuqi deri më 6 prill.
Hafizi ndodhej në paraburgim nga tetori i vitit të kaluar, me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash e mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Avokati Ahmet Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar të enjten mbrëma se Hafizi është liruar nga paraburgimi.
“Sot, drejtësia vendosi që ta lirojë Naser Hafizin nga masa e paraburgimit sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si avokat i tij, jam i bindur që edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij”, ka shkruar ai.
Hafizi ishte arrestuar më 10 tetor 2024, ndërsa urdhri për arrestimin e tij ishte dhënë dy ditë më parë, por se ai ndodhej jashtë vendit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë ekziston dyshimi i bazuar se në cilësinë e personit zyrtar dhe atë në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Hafizi, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin për Ujërat e Kosovës, si dhe Udhëzimin Administrativ për Strukturën e Pagesave të Taksave Ujore.
Sipas Prokurorisë, Hafizi ka anashkaluar në tërësi Raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar me qëllim të përllogaritjes së borxheve të operatorëve ekonomikë.
Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se Raporti tregonte se vlera e borxheve të krijuara nga Operatorët Ekonomik është afro 19 milionë e 300 mijë euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore dhe pa verifikuar gjendjen faktike, ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.
Në maj të 2023-tës, KOHA ka raportuar se si Qeveria ka amnistuar shkeljet që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka bërë deri në vitin 2021, duke mos inkasuar taksën për shfrytëzim të ujit nga kompanitë e ambalazhimit.
Aty është përmendur raporti i një grupi punues brenda Ministrisë, që kishte konstatuar se borxhi i kompanive është afro 20 milionë euro. E në një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga ky dikaster ishte thënë se vlera e borxhit është vetëm 844 mijë euro.
“Ato janë shifra fiktive dhe nuk janë borxhe apo obligime reale dhe ligjore. Ato borxhe nuk figurojnë në databazën e MMPHI-së, sepse janë kalkulime të raporteve dhe analizave në dokumente jozyrtare”, thuhej në përgjigjen e majit 2023 të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Një borxh në vlerë prej 59 milionë eurosh është përmendur në një raport të Këshillit Ndërministror për Ujërat, i cili kishte bërë përllogaritje në bazë të Udhëzimit Administrativ për strukturën e pagesës së ujit 06/2006. Aty parashihet që kompanitë që nuk raportojnë, ngarkohen sipas kapaciteteve maksimale.
Por, sipas Ministrisë, borxhi nuk ka bazë ligjore, pasi që kompanitë nuk kanë raportuar ashtu siç parashihet me Udhëzimin Administrativ për strukturën e pagesave të ujit, e as Ministria, përkatësisht Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore nuk ka përgatitur vendimet financiare për kompanitë.
Më 2017-n, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ua pati falur ambalazhuesve borxhin, porse më pas vendimi ishte anuluar duke u zëvendësuar me “lehtësira” për ta.