LAJMET E MBRËMJES

Zyrapi: UÇK-ja s’ishte aq e organizuar sa Armata Boshnjake

“Armata Boshnjake ka pasur sistemin komplet të jetës dhe organizimit, si të shtetit prej presidencës, qeverisë, ministrave, të gjitha dhe të gjithë ata eprorë që kanë qenë në dispozicion i ka sistemuar në Ushtrinë Boshnjake. Kurse te ne, e kemi formuar një ushtri që ka dalë nga vullneti i popullit dhe e cila nuk ka pasur këto struktura si qeverinë apo presidencën”, ka deklaruar Zyrapi, në ditën e 17-të të dëshmisë së tij në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi

Bislim Zyrapi ka dëshmuar të mërkurën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë mbi dallimin midis Armatës Boshnjake, në të cilën ka shërbyer si komandant, dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në të cilën e ka mbajtur postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. 

Ai ka theksuar se UÇK-ja gjatë kohës së luftës në Kosovë nuk ka qenë aq e organizuar sa ushtria e Bosnjës.

“Armata Boshnjake ka pasur sistemin komplet të jetës dhe organizimit, si të shtetit prej presidencës, qeverisë, ministrave, të gjitha dhe të gjithë ata eprorë që kanë qenë në dispozicion i ka sistemuar në Ushtrinë Boshnjake. Kurse te ne, e kemi formuar një ushtri që ka dalë nga vullneti i popullit dhe e cila nuk ka pasur këto struktura si qeverinë apo presidencën”, ka deklaruar Zyrapi.

Kur është pyetur se përse në rangjet e larta të UÇK-së nuk ka pasur ushtarakë profesionistë, Zyrapi ka thënë se ato deri diku janë plotësuar pas një marrëveshje me FARK-un.

“Edhe eprorët që kanë ardhur pas kërkesës sonë, janë ndaluar nga Qeveria e Përkohshme në Shqipëri dhe normalisht nuk kemi mund t’i kemi në dispozicion këta eprorë, deri e kemi bërë at marrëveshjen të hyjnë një pjesë e eprorëve”, ka thënë ai.

Dëshmitari është pyetur edhe për krijim e Shtabit Qendror, i cili më pas është quajtur i Përgjithshëm. 
“Sipas asaj që di, Shtabi Qendror është përcaktuar dhe UÇK-ja ka lindë nga partia politike LPK, Lëvizja Popullore e Kosovës, dhe ajo ka përcaktuar Shtabin Qendror”, është përgjigjur ai.

Gjyqtari Fergal Gaynor, e ka pyetur edhe lidhur me librin e Jakup Krasniqit “Kthesa e Madhe”, e botuar në vitin 2006, dhe e cila është pranuar si provë materiale nga Gjykata. Zyrapi ka thënë se nuk e ka lexuar librin e Krasniqit.

“Çka ka thënë zotëri Krasniqi është e tij, unë s’i lexoj librat për arsye se shumica e librave që janë shkruar, në pjesën më të madhe i ekzagjerojnë prej realitetit që ka ndodhur”, ka deklaruar ai.

Në këtë libër, gjyqtari Gaynor, ka thënë se Krasniqi e ka përshkruar veten si shef i Drejtorisë së Autoritetit Civil. E Zyrapi është shprehur skeptik për ekzistimin e një drejtorie të tillë.

“Unë nuk e kam ditur që ekziston një strukturë e tillë, e para. E dyta, drejtori të Pushtetit Civil nuk ka pasur, me çka di unë, se po të kishte do të koordinohesha me ta, zëdhënës e di që ka qenë. Atë duhet ta shpjegon zotëri Jakup Krasniqi, pse e ka shkruar kështu dhe nëse ka pasur një strukturë të tillë le të tregon çfarë ka pasur”, ka thënë ai.

Në vazhdimin e dëshmisë së tij të mërkurën Zyrapi, ka thënë se deri në marsin e vitit 1999, UÇK-ja ka numëruar rreth 18 mijë anëtarë.

“Në këtë shifër përfshihen të gjitha, edhe njësitë e UÇK-së, policia ushtarake, mbrojtja civile. Ka pasur edhe mbrojtje civile, të cilët kanë qenë për mbrojtjen e fshatrave dhe rrugëve. Brenda kanë qenë 12 mijë ndërsa, 6 mijë të tjerë kanë marrë pjesë në operacionin ‘Shigjeta’, që janë mobilizuar më vonë për këtë operacion”, ka theksuar Zyrapi.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dëshmin para Dhomave të Specializuara e ka nisur më 1 korrik. Kjo është dëshmia më e gjatë e dhënë në Speciale, që prej nisjes së rastit gjyqësor të ish-udhëheqësve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – të cilët ngarkohen me akuza për krime lufte gjatë kohës së luftës në Kosovë.