LAJMET E MBRËMJES

ZRRE: Vendimi për rritje të tarifave të energjisë nuk i përfshin katër komunat në veri

Në një njoftim të Zyrës së Rregullatorit për Energji është bërë e ditur se rritja e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1% vlen vetëm për konsumatorët e KESCO-s. E nëse kjo rritje do të aplikohet edhe në katër komunat veriore, sipas ZRRE-së, kjo mbetet në kompetencën e kompanisë së licencuar për furnizim për veri, Elektrosever

“Elektroseveri” vendos vetë nëse do të rritet çmimi në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serbë, thuhet në një njoftim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të hënën. 

Në ZRRE kanë thënë se rritjen prej 16.1% detyrohet ta aplikojë vetëm KESCO si Furnizues Universal që mbulon të gjitha komunat, pos atyre katër në veri të banuara me shumicë serbe.

E Elektroseveri, sipas ZRRE-së, është kompani që operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe marrëdhëniet tarifore janë të ndryshme. 

“Rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1% vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO. Gjithashtu njoftojmë opinionin publik se Furnizuesi i energjisë elektrike Elektrosever ka licencë nga ZRRE për konsumatorët e katër komunave në veri të Republikës së Kosovës, si furnizues komercial, si dhe shumë furnizues tjerë të energjisë elektrike të licencuar nga ZRRE”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.

Sipas ZRRE-së, vendimi i aprovuar nga Bordi para dy javësh për tarifat e shfrytëzimit të sistemit të transimisionit e shpërndarjes prekë edhe ElektroSeverin, mirëpo siç thuhet në njoftim, kjo nuk do të thotë që këtë rritje kompania serbe do ta shpërndajë te konsumatorët.

“Bordi i ZRRE-së me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Transmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever”. 

Faturimi në këtë pjesë të vendit ka nisur në shkurt të vitit 2024, por pjesa më e madhe e banorëve vazhdojnë të mos e paguajnë. Sipas Kosovapressit, shkalla e pagesës në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan është rreth 20 për qind.