LAJMET E MBRËMJES

ZPS: Dëshmitari i 61-të do të identifikojë ushtarë të UÇK-së që kryen ndalime e keqtrajtime

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Dëshminë të hënën e ka nisur dëshmitari i 61-të nën masa mbrojtëse. Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ai do të identifikojë ushtarë të UÇK-së që kryen ndalime e bënë keqtrajtime gjatë kohës së luftës

Dëshmitari i 61-të ka nisur të hënën dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Dëshmitari, që është nën masa mbrojtëse, sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Vega Lodica, është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarët e UÇK-së gjatë kohës së luftës dhe se në dëshminë e tij do të flasë për këtë, si dhe do të bëjë identifikimin e disa ushtarëve dhe të të ndaluarve.

“Dëshmitari 01978 është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarë të UÇK-së në ambiente të ndryshme ndalimi të UÇK-së gjatë disa javëve. Dëshmitari 01978 do të japë dëshmi lidhur me kushtet e ndalimit, punën që kanë bërë të ndaluarit si dhe procesin e marrjes në pyetje dhe rrahjes që ka pësuar ai. Dëshmitari do të identifikojë disa ushtarë të UÇK-së dhe disa të ndaluar të tjerë të mbajtur bashkë me të”, ka theksuar Lodica.

Pas leximit të përmbledhjes nga prokurorja e rastit dhe pranimit të disa provave, duke përfshirë dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët, nga mbrojtja u kërkua që të kalohet në seancë private, gjë që u aprovua nga trupi gjykues.

Kryetari i trupit gjykues Charles Smith, po ashtu tha se Prokuroria e ka reduktuar numrin e dëshmitarëve prej 320 sa ishin në fillim.

“Fillimisht prokuroria ka thënë se do të kishte 320 dëshmitarë. Tash e ka reduktuar numrin dhe brenda këtij muaji do të na japin një përditësim. Shpresojmë ta kenë reduktuar edhe më tutje numrin e dëshmitarëve të propozuar. Dëshmitarët që kanë mbetur do të vijnë në formate të ndryshme. Çka do të thotë, herë me shkrim e herë ‘live’”, është shprehur Smith.

Në këtë rast po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.