Zotimi i ri i Qeverisë së Kosovës për draftstatutin e Asociacionit, gjatë synimit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, nuk është pritur mirë në Kosovë. Ai është kritikuar nga opozitarët, por është konsideruar hap i pamjaftueshëm edhe nga vende si Gjermania.
Zotimi i Qeverisë për hartimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk pritet të prodhojë efekt drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Gjermania, një nga shtetet që ka kushtëzuar votën në Këshill me hapa konkretë, për Asociacionin ka shprehur qëndrimin se kërkesa ende nuk është plotësuar.
Në një përgjigje të Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, thuhet se veprimet Qeveria është dashur t’i ndërmerrte para takimit të Komitetit të Ministrave.
“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm. Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte hap i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet ta bëjë pjesën e rëndë’. Kjo ende nuk ka ndodhur”, u tha nga Ambasada e Gjermanisë.
Ndryshim të qëndrimit të Gjermanisë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e kanë kërkuar edhe ligjvënës të saj.
Deputeti gjerman, Kurt Abraham, e ka konsideruar zhvillim të mrekullueshëm veprimin e Qeverisë për Asociacionin dhe ka thënë se Komiteti i Ministrave duhet ta trajtojë anëtarësimin në një seancë të veçantë në qershor.
“Qeveria e Kosovës ka premtuar në një letër dërguar Këshillit të Evropës se do të dorëzojë në Gjykatë Kushtetuese një statut për AKS-në deri në fund të majit. Është një zhvillim i ri i shkëlqyeshëm. Do të ishte ide shumë e mirë që Komiteti i Ministrave ta adresojë këtë çështje në një takim të veçantë në qershor. Do të ishte moment historik dhe Qeveria e Kosovës ka marrë një hap shumë të rëndësishëm këtu”, tha Abraham.
Por, veprimi i Qeverisë është kritikuar nga opozitarët në Kosovë.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Citaku, letrën e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e ka konsideruar skandaloze.
“Skandaloze letra e Ministres së Punëve të Jashtme. Skandaloze në përmbajtje, skandaloze në formë. Skandaloze në mesazhin që përçon tek aleatët. Diplomacia nuk është lojë fëmijësh”, tha Çitaku.
Veprim të gabuar e të vonuar e kanë konsideruar edhe deputetët e LDK-së e AAK-së.
“Pse është lënë deri në fund të muajit kur është ditur qe gjashtë muaj që mbledhja e Komitetit të
Ministrave do të mbahet më 16 dhe 17 maj. Është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën. Kosova e ka humbur mundësinë që të merret vendim pozitiv për të në Këshill të Evropës”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Të enjten dhe të premten, Komiteti i Ministrave do të zhvillojë takime, por në agjendë nuk është edhe votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.