LAJMET E MBRËMJES

Xhylani dëshmon se ish-gardiani Milenkoviq e rrahu më së shumti në Burgun e Prishtinës

Dëshmitari Elmi Xhylani e ka identifikuar të akuzuarin Milenkoviq si person që e ka rrahur në Burgun e Prishtinës. Para Gjykatës Themelore në Prishtinë të mërkurën, në këtë rast për krime lufte ka dëshmuar edhe kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati. Ai ka thënë se kushdo që dërgohej në Burgun e Lipjanit pritej nga një kordon me gardianë serbë, nëpërmjet të cilit duhej të kalonin të burgosurit shqiptarë

Elmi Xhylani, dëshmitar në rastin gjyqësor në të cilin Dragisha Milenkoviq akuzohet për krime lufte, e ka identifikuar të akuzuarin si person që e ka keqtrajtuar gjatë luftës në Kosovë. 

Dëshmitari Xhylani ka thënë të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë se në shtatorin e vitit 1998, ai është arrestuar nga autoritetet serbe dhe është dënuar për terrorizëm, duke u bartur më pas nga një burg në tjetrin - nisur nga ai në Drenas, më pas në Prishtinë, Dubravë, Lipjan, Nish dhe në fund edhe në Burgun Qendror në Beograd. 

Milenkoviqi, në bazë të aktakuzës së ngritur, i ka keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë në Burgun e Lipjanit dhe në atë të Prishtinës. E dëshmitari e ka veçuar të akuzuarin si keqtrajtuesin e tij kryesor në Prishtinë. 

“Sa herë ka ardhur ky, më ka rrahur edhe më ka thanë: ‘Ke për ta parë se kush është Dragisha’. Ky më ka rrahur sa herë ka qëlluar në ndërrim, më së forti”, ka theksuar dëshmitari Xhylani. 

Ai ka shtuar se e ka parë Milenkoviqin duke e rrahur edhe një të burgosur tjetër.

Dëshmitari në shumë pyetje është përgjigjur duke thënë se nuk mban mend ngjarjet, teksa ka theksuar se ka vuajtur shumë dhe se edhe koka i është çarë gjatë torturave në burg. Të akuzuarin, ai ka thënë se e ka parë sa ka qenë në Burgun e Prishtinës, porse jo edhe në atë të Lipjanit. 

Lidhur me këtë rast, të mërkurën ka dëshmuar edhe Ekrem Kastrati, i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Malishevës. Ai ka thënë se ka dëgjuar nga dy dëshmitarët e këtij rasti - Agron Ramadani dhe Besim Rama - se Milenkoviqi i ka keqtrajtuar.

Kastrati është shprehur se në Burgun e Lipjanit është dërguar bashkë me shumë të burgosur të tjerë të cilët i kanë mbijetuar masakrës në Burgun e Dubravës dhe ka shtuar se aty, të gjithë priteshin nga një kordon me gardianë serbë që i rrihnin. 

“Ka qenë kordoni prej gardianëve, të cilët kanë qenë të pajisur me shkopinj gome, me shkopinj bejsbolli e me mjete të forta. Secili prej nesh është dashur të kalojë në mes të atij kordoni për të hyrë në dhomë”, ka thënë dëshmitari Kastrati. 

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale gjatë vitit të shkuar theksohet se Milenkoviqi, një ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe i atij të Lipjanit, si dhe Lubomir Çimburoviq, drejtor i Burgut të Prishtinës, dhe zyrtarët korrektues Predrag Bradiq e Milivoje Iviq kanë keqtrajtuar të burgosur shqiptarë në periudhën midis 24 majit e 10 qershorit të 1999-s.

Prokurori, Atdhe Dema, ka thënë se të dëmtuarit në këtë proces penal do të tregojnë për tortura që u kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e ankth.

“I kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shkelma e grushte deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç i shpjegojnë vetë viktimat se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në të gjithë trupin, dhunë psikike ashtu që i kanë lënë pa ngrënë gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike”, ka thënë prokurori. 

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri Milenkoviq para trupit gjykues nuk i ka pranuar akuzat për krime lufte, por vetëm fajësinë për armëmbajtje pa leje.

“Për pikën e parë dhe të dytë jo (nuk e pranoj fajësinë), ndërsa për pikën e tretë për armëmbajtje po (e pranoj)”, kishte thënë ai në seancën e 10 janarit të sivjetmë. 

Ndaj drejtorit të burgut Lubomir Çimburoviq dhe ish-gadianëve Milivoje Iliq dhe Predrag Bradiq, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë vitin e kaluar, mirëpo nuk është raportuar nëse është mbajtur shqyrtimi fillestar lidhur me ta. Krahas gjykimit të Milenkoviqit, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për keqtrajtim në burgje gjatë luftës po akuzohet edhe Gavrilo Milosavleviq, i akuzuar edhe për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës. Për keqtrajtim në burgun e Lipjanit gjatë kohës së luftës është dënuar nga EULEX-i edhe Zoran Koliq, në vitin 2012. Mbrojtja e tij më pas është ankuar në të gjitha instancat e rregullta të gjyqësorit, si dhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka shpallur si të papranueshme ankesën e tij, më 28 shtator të 2015-tës.