LAJMET E MBRËMJES

VV-ja i quan shpifje deklarimet për mungesë të ushqimit për FSK-në

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë quajtur shpifje raportimet e deklarimet se ushtarët e FSK-së janë duke u përballur me mungesë ushqimi, edhe pse ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pranoi një dit më parë se ka probleme e vonesa në furnizim me ushqim. Në një konferencë për media para seancës ku do të diskutohej kjo çështje e të cilën e bojkotuan, ata thanë se me planin e ri të Ministrisë do të ofrohet qëndrueshmëri në sigurimin e ushqimit për ushtarët.

Partia në pushtet nuk do të marrë pjesë në seancat e ftuara nga opozita, si kundërpërgjigje ndaj mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e tyre.

Javën e shkuar, nga opozitarët u kërkua që të shkarkohet shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të bisedës me udhëheqësin e grupit terrorist Milan Radoiçiq, në të kundërtën u tha se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim.

Kushtëzimi i opozitës u konsideruar i papranueshëm nga dy deputetë të pushtetit, Enver Dugolli e Mefail Bajçinovci.

“Ne nuk marrim pjesë në asnjë lloj seance apo iniciative që vjen nga ana e tyre derisa ata nuk reflektojnë dhe nuk e shmangin këtë lloj imponimi i cili gjithsesi që nuk kalon…”, tha Dugolli.

“Opozita nuk mund të diktojë se a duhet të shkarkohet kryetarja e grupit parlamentar, e dyta vetë opozita ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë marrëveshje dhe asnjë ligj për mazhorancë, kështu që  vetë fakti që ata dalin dhe kërkojnë shkarkimin e kryetares tregon se ata më nuk janë të adresuar për bashkëpunim”, tha Bajçinovci.

Në konferencën për media të hënën, deputetët Dugolli e Bajçinovci i dolën në mbrojtje Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me çështjen e furnizimit me ushqim për pjesëtaret e FSK-së.

Raportimet e deklarimet në lidhje me mungesën e ushqimit ata i konsideruan dezinformata e thanë se janë duke u bërë me qëllim në dëm të ushtrisë.

Kurse paralajmërimin e komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, për ndërprerje të shërbimeve, deputetët e konsideruan komunikim zyrtar mes institucionesh, teksa siguruan se me konceptin e ri do të ofrohet qëndrueshmëri në furnizim.

“Sot është data 14 tetor, asgjë e jashtëzakonshme nuk po ndodh, ushtarët po ushqehen, ushtarët kanë ushqim dhe do të kenë edhe më të begatë e më të mirë. Jemi në fazën e rekrutimit, Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për rekrutimin e më shumë se 100 kuzhinierëve dhe stafit mbështetës të cilët do ta përgatisin dhe do ta servojnë ushqimin me bollëk për ushtarët e ushtrisë sonë”, tha Dugolli.

“Koncepti i ri i shërbimit, vetushqimit për ushtrinë, koncepti i vetëqëndrueshmërisë pa tendera do të vazhdojë të implementohet në periudhë afatgjatë dhe më nuk do të ketë kthim prapa, kuptojeni nuk do të ketë kthim prapa me tender”, tha Bajçinovci.

Konferenca për media u zhvillua rreth një orë para se në sallën e Kuvendit të niste diskutimi në seancën e jashtëzakonshme të ftuar nga opozita në lidhje me ushqimin e ushtarëve.