Afati i fundit i vendosur nga Qeveria për kthim të targave që Serbia i lëshon në emër të qyteteve të Kosovës, në ato RKS, duke i shfrytëzuar edhe benefitet, është 31 tetori. Pesë ditë pa mbaruar ky afat, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm 18 vetura tashmë i kanë marrë targat e Republikës së Kosovës. Në veri vlerësohet se qarkullojnë rreth 9000 vetura me targa ilegale
Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti konfirmoi se nuk do të ketë vendim të ri për shtyrje të afatit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS, zyrtarë serbë në Kosovë e Beograd kanë ndezur alarmin “për situatë të rëndë”.
Lista Serbe të mërkurën kërkoi takim urgjent me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ai menjëherë ka reaguar duke thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Zyra e tij konfirmoi se mbledhja do të mbahet të enjten, prej orës 10:00, e para se të nisë ajo, Vuçiqi do të takojë përfaqësuesit e Listës Serbe.
Sipas Listës Serbe, deklarimet e fundit të kryeministrit Kurti “provokojnë frikën e qytetarëve serbë”, veçanërisht të atyre që jetojnë në veri të Kosovës.
“Në emër të serbëve nga Kosova dhe në lidhje me deklaratat e Albin Kurtit që nga 1 nëntori do të nisë konfiskimi i veturave të qytetarëve tanë me targa serbe, ne përfaqësuesit e serbëve të Kosovës po kërkojmë takim urgjent me presidentin Aleksandar Vuçiq. Paralajmërimi i Albin Kurtit për veprime të dhunshme ndaj qytetarëve tanë, veçanërisht atyre në veri të Kosovës, provokon frikë dhe pasiguri. Të gjithë e kanë të qartë se populli ynë nuk pajtohet me vendimet e njëanshme të Prishtinës, që kanë synim të largojnë çdo gjë serbe nga këto territore”, thuhet, mes të tjerash, në letrën e Listës Serbe.
Ndërkohë të mërkurën në Kosovë ka qëndruar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Atij i është lejuar vizita në Kosovë pas dhjetë refuzimeve.
Ai qëndroi në Pasjan, por u ankua se kishte në plan të vizitonte edhe vende të tjera.
Ka thënë se fillimisht i ishte lejuar vizita e plotë e më pas rreth mesnatës kishte marrë një email tjetër, ku i ishte treguar për ndalesën.
“Dje, rreth orës 16:00, më ishte miratuar plotësisht vizita siç i kam njoftuar. Por diku rreth mesnatës mora një email të ri, ku pothuajse 80 për qind e programit të vizitës sime ishte ndaluar. Mund të shihni tash se sa larg shkon Albin Kurti. Ai tani është duke goditur edhe qirinjtë e festimit dhe tortat festive. Jo vetëm që ndalon shkuarjen në manastire në territorin e Kosovës, por ndalon edhe pjesëmarrjen në çdo ceremoni fetare. Kurtin e Bislimin duket se nuk i zë gjumi kur unë paralajmëroj vizitë, sepse ata gjithmonë më dërgojnë emaila disi rreth mesnatës, kur pushon e gjithë bota normale dhe e ndershme”, ka thënë Petkoviqi të mërkurën gjatë qëndrimit në Kosovë.
Qeveria e Kosovës nuk ia kishte miratuar disa vizita për shkak të gjuhës së papërshtatshme dhe mbjelljes së urrejtjes.
Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se nuk do të ketë shtyrje të afatit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato legale.
Afati i fundit i vendosur nga Qeveria për kthim të targave që Serbia i lëshon në emër të qyteteve të Kosovës, në ato RKS, duke i shfrytëzuar edhe benefitet, është 31 tetori.
Pesë ditë pa mbaruar ky afat, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm 18 vetura tashmë i kanë marrë targat e Republikës së Kosovës.
Në veri vlerësohet se qarkullojnë rreth 9000 vetura me targa ilegale.
Qeveria më herët, me kërkesë të ndërkombëtarëve, e kishte shtyrë këtë afat për një muaj, por tash insiston se nuk do ta bëjë më.