LAJMET E MBRËMJES

Vuçiqi e quan mashtrim letrën për Asociacionin, Kurti kërkon që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin

Albin Kurti

Foto: Associated Press

Nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Kotorr, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka cilësuar si mashtrim të radhës letrën e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, se Kosova do ta hartojë një draftstatut për themelimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Serbia që t’ia dorëzojë Kosovës Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij të armatosur që ndërmori sulm në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e vitit të shkuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon që ta hartojë draftstatutin për themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Pak pasi që ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të enjten në mëngjes se ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draftstatutin për Asociacionin, për ta dorëzuar pastaj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë, Vuçiq ka theksuar se Kosova nuk mund ta bëjë një draftstatut të tillë pa pajtimin e shtetit fqinj.

“Kush jeni ju ta dorëzoni këtë tekst? Marrëveshja e Brukselit është mjaft e qartë, se ai duhet të bëhet me pajtimin e Serbisë, apo nëse ne pajtohemi, siç jemi pajtuar kontekstualisht, konceptualisht dhe në parim se duhet të jetë një tekst i dorëzuar nga BE-ja”, ka thënë Vuçiq në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian (BE), i cili është zhvilluar të Malit të Zi.

E tek ka folur mbi rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore nga qyteti i Kotorrit, ku është mbajtur Samiti, kryeministri Albin Kurti ka përsëritur kërkesën që Serbia t’ia dorëzojë Kosovës, Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij që në fund të shtatorit të shkuar kanë ndërmarrë sulm të armatosur ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit. 

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore me njohje de facto dhe de jure janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin. Prandaj po kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë në Kosovë Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij paramilitar që vrau rreshterin tonë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar”, ka thënë ai.
Kurti gjithashtu ka porositur Bashkimit Evropian që të veprojë sipas progresit demokratik dhe reformave të vendeve të rajonit. 
Komisionari evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelji, dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, theks të veçantë në Samit i kanë dhënë Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Ata kanë shprehur qëndrimin se plani nuk është më një draft, porse një udhërrëfyes i cili do të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët e rajonit. 
“Për shkak të Planit të Rritjes dhe intensitetit të ndihmës nga plani ekonomik dhe investues, agjenda e reformave dhe e ndihmës financiare shtesë deri në vitin 2027, Ballkani do të jetë gati ose mund të jetë gati, ose mund të bëhet gati për t'u anëtarësuar në BE”, ka theksuar Varhelji. 
E O’Brien ka thënë se prioriteti i Planit është krijimi i një tregu të vetëm të qarkullimit të parasë, të zvogëlimit të kostove, lehtësimit të lëvizjes së tregut dhe krijimit të më shumë vendeve të punës.
“Mesazhet e Planit janë që për çdo pjesëmarrës, mesazhi është i qartë – bëje punën tënde dhe mos kërko nga dikush tjetër të bëjë diçka më parë, për të bërë tënden”, ka bërë të ditur ai.
Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet një sinjal të qartë të përkushtimit të BE-së për transformimin ekonomik dhe demokratik të këtyre vendeve, ka thënë kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në Samit. Këshilli i BE-së ka miratuar një plan prej 6 miliardë eurosh për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të përshpejtimit të reformave dhe rritjes ekonomike, nga të cilat dy miliardë euro janë grante dhe katër miliardë euro kredi të favorshme të garantuara nga BE-ja.
Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë grante dhe 4 miliardë kredi të buta, që do t’i jep BE-ja.
Gjatë Samitit, kryeministri Kurti ka konfirmuar përkushtimin e tij për reformat që duhet të bëhen në funksion të zbatimit të Planit. E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt BE-së.
“Është koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital të Evropës. Individualisht, ne të gjithë u përfshimë dhe synojmë të jemi gati deri në vitin 2027”, ka thënë ai.
Samiti është takimi i tretë që është mbajtur sivjet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Dy të mëhershmet janë mbajtur në Shkup dhe Tiranë gjatë muajt të shkuar.