LAJMET E MBRËMJES

Von Cramon: Vendimi për liberalizim vizash nga fundnëntori, s’ka datë për fundin e procesit

Eurodeputetja nga Gjermania ka kërkuar që Qeveria në Kosovë t’i shfrytëzojë mundësitë që i ofrohen gjatë presidencës së Republikës Çeke në Bashkimin Evropian, para se drejtimin e saj ta marrin vendet që drejtohen nga parti të krahut të djathtë

E befasuar për mungesën e vendimit mbi liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën është shprehur të hënën raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, gjatë një konference për media të mbajtur në Prishtinë.

Duke folur mbi vendimmarrjen rreth heqjes së vizave, Von Cramon ka theksuar se gjatë mesit të muajit nëntor pritet që të mbahet votimi në Këshillin Evropian. Mirëpo ajo ka tërhequr vërejtjen se çështja ngërthen edhe problematika, pasi që nuk është dhënë ndonjë datë përkitazi me përfundimin e procesit.

“Ju vërtet keni përmbushur gjithçka që lidhet me liberalizimin e vizave. I keni përmbushur kriteret. Raporti i rishikuar i Komisionit është pozitiv dhe asgjë nuk po mungon...Vendimi do të jetë diku nga mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Por pyetja është se a do të çojë deri te një sistem i ri për kushtet e reja për viza. Kjo do të ishte krejtësisht e padrejtë. Apo do të shohim një datë kur të bëhet liberalizimi i vizave”, ka thënë raportuesja në PE për çështjen e Kosovës.

Von Cramoni ka kërkuar gjithashtu që Qeveria në Kosovë t’i shfrytëzojë mundësitë që i ofrohen gjatë presidencës çeke të Bashkimit Evropian, para se drejtimin e saj ta marrin vendet që drejtohen nga parti të krahut të djathtë.

“Duhet ta kuptoni se çfarë është më mirë për vendin. Nëse është më mirë të kërkohet gjithçka apo të kërkohet 90 për qind, p.sh. Unë do të rekomandoja që në Kosovë të pranohet ai 90-përqindësh sesa të mos merret asnjë gjë. Kjo është një mundësi që Qeveria të shikojë përderisa krahët e djathtë në BE të marrin më shumë pushtet, ngase gjërat do të bëhen më të vështira. Përderisa presidenca e BE-së do të kalojë nga Suedia te Spanja, a do t’i lehtësojë kjo gjërat? Nuk e besoj. Kështu që gjithçka që do të arrihej tani do të ishte zgjidhje më e mirë se gjithçka që shtyhet”, ka theksuar Von Cramoni.

Përkitazi me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, eurodeputetja nga Gjermania ka theksuar se Prishtina dhe Beogradi duhet që ta shqyrtojnë si një mundësi propozimin franko-gjerman për të ecur përpara në këtë proces.

“Është momenti që të arrihet, nëse jo një marrëveshje përfundimtare, të paktën një pako që do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Shumë njerëz kanë shkruar për propozimin franko-gjerman. Kjo është mundësi e madhe dhe do të kërkojë që secili që është në pushtet dhe të marrë vendime që t’i shqyrtojë me kujdes këto propozime. Mendoj se ky është një rast i mrekullueshëm që të ecin përpara të dy palët drejt integrimit evropian, i cili është i nevojshëm. Kosova si vendi më proevropian duhet që ta përkrahë këtë...”, ka thënë Von Cramoni në konferencë.

Teksa ka theksuar se e kupton frustrimin e Kosovës për sa i përket zbatimit të vendimit të Qeverisë për konvertim të targave ilegale në ato RKS, afati për të cilin skadon më 31 tetor, eurodeputetja Von Cramon ka rekomanduar se duhet të shqyrtohet kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Bashkimit Evropian për shtyrje. Krahas kësaj, ajo ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i shqyrtojnë edhe çështjet e përditshmërisë, si njohja e letërnjoftimeve, njohja e diplomave dhe ato që ndërlidhen drejtpërsëdrejti me jetën e qytetarëve.

“Duhet të ketë vullnet më të madh nga komuniteti serb që të integrohet në shoqëri. Do të dëshiroja që kjo të tejkalohej. Të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë këtu dhe të marrin letërnjoftimin e Kosovës dhe të kenë të drejta të barabarta. Ende ka vend për përparim. Na duhet një praktikë e mirë, një proces i lehtë që të gjithë të arrijnë këtë dhe të jenë qytetarë të barabartë”, ka thënë Von Cramoni.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, derisa ka prekur çështjen e strategjisë për energjinë elektrike, ka theksuar se Kosova vazhdon që të operojë me kushte të vështira, ndërsa ka shtuar se Qeveria nuk mund ta ndryshojë këtë në aspektin e zhvillimeve gjeopolitike.