LAJMET E MBRËMJES

Vjosa Osmani mohon se u bë presidente me ndihmën e Radoiçiqit

Akuza për bashkëpunim me organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, vazhdojnë të shkëmbejnë pushteti e opozita. Deklaratat e Behgjet Pacollit se Vjosa Osmani u zgjodh presidente me ndihmën e Radoiçiqit ajo i vlerësoi për efekte elektorale. E zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, e paditi të enjten deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, për shpifje

Presidentja Vjosa Osmani i ka quajtur deklarata për efekte elektorale akuzat e ish-presidentit Behxhet Pacolli se më 2021 ai ndërmjetësoi te Milan Radoiçiqi për t’ia siguruar asaj votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidente.

Pas një ngjarjeje në kuadër të muajit për ndërgjegjësim lidhur me kancerin e gjirit, të enjten, presidentja Osmani u pyet edhe për pretendimet e kryetarit të AKR-së por, sipas saj, ato nuk janë të vërteta. 

“Është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash, kështu që iu kisha lutur për çfarëdo që keni pyetje t’i drejtoni në Presidencë”, ka thënë ajo.

Para një jave Pacolli ka deklaruar se në prani të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit ka folur në telefon me nënkryetarin e atëhershëm të kësaj partie, Milan Radoiçiq, për të siguruar vota për zgjedhjen e presidentes.

“Unë kam pasur një telefonatë me zotëri Radoiçiqin, një ditë para zgjedhjes së presidentes, këtë e dinë edhe presidentja, edhe kryeministri Albin Kurti, sepse telefonata është bërë në praninë e tyre. Është një telefonatë e tillë, ka qenë, sepse unë nuk mund të gënjej, është shiku që të gjendet edhe një deputet dhe aty është peshku edhe një deputet praktikisht”, ka thënë Pacolli për “Tëvë 1”.

Sipas tij, kjo telefonatë është bërë me dijen e Osmanit dhe Kurtit.

“Unë këtë telefonatë nuk e kam bo në mendjen time, por ashtu siç ka ndodhë gjithmonë, sigurisht se po dhe asnjëherë nuk kom ikë prej momenteve kur duhet t’i ndihmohet Kosovës, kur duhet t’i ndihmohet konstruktivitetit. Unë jam kthye atë ditë nga lart, jam kthye për t’ia dhënë votën zonjës presidente, a e kanë respektuar ata më vonë a jo, kjo gjë është pune e tyre”, pati shtuar ai.

Osmani qe zgjedhur presidente më 4 prill 2021 me 71 vota.

E organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, u bë mollë sherri edhe për ish-ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, tani deputet i PDK-së dhe zëvendësministrin aktual të drejtësisë, Vigan Qorrolli.

Tahiri para dy javësh ka deklaruar se Qorrolli ishte kandidat konsensual i Listës Serbe dhe Lëvizjes Vetëvendosje për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë deklaratë Qorrolli të enjten shtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Tahirit për shpifje.

“Do të duhet t'i tregoj tashmë gjykatës dhe përmes saj tërë opinionit publik se si unë jam propozuar për gjyqtar nga beniaminët e tij politikë të bashkëqeverisjes – Lista Sërpska. I ftoj mediat që për ta kuptuar të vërtetën, ta përcjellin ditëve në vijim seancën gjyqësore me rastin e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë për ndalimin e shpifjeve kundrejt personit tim nga një shpifës ordiner si i padituri në fjalë”, ka shkruar Qorrolli të enjten në Facebook.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, më 10 tetor ka deklaruar se Qorrolli ishte kandidat i kryeterroristit Milan Radoiçiq për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

“Kishin një koordinim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kishin kandidatin e tyre për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, pati thënë ai në një konferencë për media.

Sipas tij, kjo u pamundësua edhe nga një pjesë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës Guxo.

“E kemi parandaluar që i njëjti të shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Flasim për një kandidat i cili ka qenë më shumë se katër herë në garë e që është përkrahur nga LVV-ja edhe kur ka qenë në opozitë kjo parti, edhe tani në pushtet. Fatmirësisht Vigan Qorrolli nuk arrin të emërohet në Gjykatën Kushtetuese si rezultat i një angazhimi të opozitës së bashku me një pjesë të vogël të deputetëve nga LVV-ja”, pati shtuar ai.

Për lidhjen me Radoiçiqin pushteti e opozita e akuzojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Debati i fundit u nxit pas publikimit të disa incizimeve ku kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, dëgjohet tek zhvillon një bisedë telefonike me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Radoiçiqi ka pranuar se qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.