LAJMET E MBRËMJES

Vetëvendosjes i refuzohet kërkesa për përsëritje të votimit me postë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje me asnjë provë bindëse nuk ka dëshmuar se mbi cilat shkaqe ka kërkuar anulimin e mbi 18 mijë votave me postë, si dhe përsëritjen e votimit me postë, në tërësi. Nga ankesat e fundit që pati në trajtim, PZAP-ja e ka refuzuar edhe një të PDK-së dhe një tjetër të komuniteteve jo shumicë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të mërkurën mbi katër ankesat e fundit të subjekteve, për rezultatin përfundimtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Paneli ia ka refuzuar ankesën Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që ka kërkuar të anulohen rezultatet e votimit me postë për Lidhjen Demokratike (LDK) dhe kandidatët e saj me gjithsej 18933 vota, që këto vota të largohen nga rezultatet përfundimtare, si dhe ka kërkuar të urdhërohet KQZ-ja që ta përsërisë votimin me postë në tërësi. 

“Parashtruesi i ankesës kërkon që të anulohet rezultati i votimit me postë të cilat i ka marrë subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kandidatët e saj, ndërsa në raport me këto pretendime në ankesë me asnjë provë bindëse nuk i ka dëshmuar se mbi cilat shkaqe e kërkon një gjë të tillë, pasi që anulimi i rezultatit të votimit me postë dhe përsëritja e votimit me postë duhet të mbështetet në dëshmi të qarta mbi manipulim, qoftë me rastin e dorëzimit, apo me rastin e numërimit, e të cilat shkaqe parashtruesi i ankesës ka dështuar që t’i argumentojë”, shkruan në vendimin e PZAP-së. 

VV-ja ka pretenduar se në listën e votuesve jashtë vendit janë regjistruar persona me e-mail adresa që janë përdorur shumë herë. 

“Paneli gjeti se ky pretendim ankimor nuk qëndron për faktin se sipas procedurave standarde të veprimit për regjistrin dhe votimin jashtë Kosovës dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime e cila procedurë parasheh kufizimin maksimal me katër kërkesa për regjistrim nga e njëjta e-mail adresë, andaj pas miratimit të procedurës, Divizioni i TI-së zgjedhore në KQZ ka bërë konfigurimin në sistemin elektronik dhe ka kufizuar përdorimin e një adresë e-mail jo më shumë se katër herë, por jo nga i njëjti person. Pra sipas kësaj procedure edhe nëse është tentuar të votohet më shumë se katër herë nga e njëjta e-mail adresë sipas këtij konfigurimi nuk i ka pranuar kërkesat e tilla”, thuhet vendimi i PZAP-së.

Përmes një reagimi në Facebook, LDK-ja e ka mirëpritur vendimin PZAP-së dhe ka theksuar se përpjekjet e LVV-së “për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor” ishin të pabazuara dhe “shpërfaqin mosgatishmëri për të pranuar vullnetin e mërgatës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër fushatën e organizuar të shpifjeve dhe dezinformatave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka për qëllim të komprometojë procesin zgjedhor dhe të delegjitimojë rezultatet që nuk i përshtaten interesave të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të tolerojë që Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor. Të gjithë ata që përhapin dezinformata me qëllim të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe të institucioneve të pavarura do të mbajnë përgjegjësi ligjore. LDK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të paditur për shpifje të gjithë ata që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe antidemokratike në rezultatet zgjedhore”, shkruan në reagimin e LDK-së. 

PZAP-ja ia ka refuzuar LVV-së edhe ankesën ku pretendohet se në vendvotimet në Skenderaj, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedi Hamza në shumicën e vendvotimeve ka marrë mbi 94 e deri në 100 për qind të votave. Nën arsyetimin se me trendi aktual të votave në vendvotime pothuajse është e pamundur që kandidatët për kryeministër të kenë 100 për qind të votave, LVV ka kërkuar rinumërim në disa vendvotime. 

Paneli i vlerësoi të paqëndrueshme pretendimet e parashtruara në ankesë. 

“Paneli duke shqyrtuar ankesën dhe bazuar edhe në përgjigjen në ankesë vlerësoi se ky pretendim ankimor është i paargumentuar, rrjedhimisht edhe i pa bazuar, pasi që duke marrë parasysh faktin se barra e provës i takon parashtruesit të ankesës, e në rastin konkret ankesës nuk i ka bashkëngjitur asnjë provë të vetme për t’i vërtetuar pretendimet ankimore”, shkruan në vendim. 

Një ankesë i është refuzuar edhe PDK-së për gjobën e shqiptar prej katër mijë eurosh për shkak të shkeljes së kodit të mirësjelljes. 

PZAP e ka refuzuar edhe ankesën e PDAK-LPB-së që kishte kërkuar anulimin e 211 votave të Partisë së Ashkalinjve për Integrim, të dërguara me postë, si dhe anulimin e 108 votave në komuna që sipas tyre nuk ka fare banorë të komunitetit ashkali. 

Kundër këtyre vendimeve mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të tyre. 

Sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, Alim Rama tha të martën në Interaktiv se nëse u refuzohet ankesa, rastin do ta dërgojnë edhe në Supreme.

E pas përfundimit të procedurave ankimore, KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare, ku më pas hapet rruga për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë.