LAJMET E MBRËMJES

Vetëm 7 nga 54 mësimdhënës e kaluan provimin kualifikues për pagë më të lartë

Nga 54 mësimdhënës që i janë nënshtruar provimit kualifikues për t’u pajisur me licencë të avancuar, vetëm shtatë prej tyre janë treguar të suksesshëm. Sipas Ministrisë së Arsimit, mësimdhënësit që nuk kanë arritur të kalojnë provimin do të obligohen të mbajnë trajnime për zhvillim profesional të tyre

Dyzet e shtatë mësimdhënës kanë ngelur në provimin kualifikues për licencë të avancuar. 
Nga 54 mësimdhënës që i janë nënshtruar këtij provimi të premten e shkuar, vetëm shtatë pre tyre kanë arritur ta kalojnë e ku pragu i kalueshmërisë ishte saktësia mbi 80 për qind.

Sipas udhëzimit administrativ, pyetjet e provimit vlerësojnë shkathtësitë pedagogjike dhe aspektin didaktik të punës. 

Në konferencën përmbyllëse të vitit, të hënën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se mësimdhënësit që nuk kanë arritur të kalojnë provimin do të obligohen të mbajnë trajnime për zhvillim profesional të tyre.

“Javën e kaluar për herë të parë është mbajtur vitin e kaluar gjerësisht premten është mbajtur me sukses për herë të parë provimi për licencën e avancuar për mësimdhënie të cilit i janë nënshtruar gjithsej 54 kandidatë, mësimdhënës të nivelit klasor, të gjuhës shqipe dhe matematikës nga shkollat e mesme të ulta dhe të mesme të larta, si ministri kemi angazhuar 18 ekspertë në hartimin e pyetjeve për licencën e avancuar”, tha Nagavci. 

Aplikimi për t’u pajisur me këtë licencë nuk është i obligueshëm. E, mësimdhënësit që arrijnë të marrin këtë licencë përfitojnë pagë më të lartë. Për të fituar licencën e avancuar, mësimdhënësit do të vlerësohen edhe nga Inspektorati i Arsimit. 

Në konferencë Nagavci komentoi edhe paralajmërimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit për grevë të mësimdhënësve nëse nuk realizohen kërkesat e tyre. 

Sipas Nagavcit, nuk ka progres në arritjen e një gjuhe të përbashkët mes Ministrisë dhe SBASHK-ut për t’i ndaluar veprimet sindikale. 

“Jam në takime të vazhdueshme me mësimdhënësit dhe përfaqësues të shkollave por edhe pse jam person i emëruar politikisht, mënyrën e reagimeve që i ka bërë kryesia e SBASHK-ut, për besë kam qenë më pak politike apo partiake sa ka qenë kryesia e SABSHK-ut”, tha Nagavci. 

SBASHK-u ka kërkuar nënshkrimin e Kontratës Kolektive dhe rritje pagash për mësimdhënësit. 

Dy vjet më parë Ministria e Arsimit ka shkëputur Kontratën Kolektive me SBASHK-un me arsyetimin se në kohën kur është nënshkruar ajo ka pasur mungesë legjitimiteti të ministrit.