LAJMET E MBRËMJES

Vërshimet bllokojnë rrugë e sjellin baltë në Prishtinë

Dy rrugë të bllokuara për disa orë, shumë të tjera të mbuluara me baltë e puseta të bllokuara, janë pasojat e vërshimeve që ndodhën të hënën në mëngjes në Prishtinë. Nga Komuna e Prishtinës janë ankuar në infrastrukturën e vjetruar, ndërkohë nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar në orët e pasdites të së hënës se situata është nën kontroll

Rrugët e Prishtinës u vërshuan nga uji e balta në orët e hershme të së hënës. 

Që nga mëngjesi shumë qytetarë publikuan incizime të rrugëve të bllokuara. 

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, ka thënë se gjatë mëngjesit të së hënës kanë kryer 25 intervenime së bashku me zjarrfikësit dhe policinë.

Fushtica është ankuar se infrastruktura e vjetruar po çon në përsëritjen e këtyre situatave.

“Është infrastruktura e vjetruar që jemi duke punuar që ta mirëmbajmë dhe rivitalizojmë, ndërtimet e shumta në kryeqytet dhe kushtet ekstreme që nuk mund t’i largojmë nga ekuacioni”, ka thënë ai.

Në lagjen “Veternik” me orë mbeti e bllokuar një rrugë nga uji. 

Aty dolën zjarrfikësit për t’i pastruar pusetat.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka thënë se bllokimi i sistemit po bëhet edhe për faj të qytetarëve.

“Këto zakonisht po bllokohen për shkak të hedhjes së mbeturinave vend e pavend. Ju po e shihni këtu përreth ka edhe dyshekë të ndryshëm. Është dashtë zjarrfikësit të largojnë edhe mbeturina të ndryshme për t’i liruar pusetat që janë të bllokuara shkaku i mbeturinave që ne si qytetarë i hedhim”, është shprehur Gashi.

Bashkim Kastrati, hidrolog në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, është shprehur se ndonëse ditëve të ardhshme do të bjerë shi, nuk pritet që të ketë vërshime dhe se niveli i lumenjve kryesorë është në kuota normale.

“Kanë shkaktuar vërshime të shpejta, kryesisht prej lumenjve që kanë karakter malorë, përroskave apo përrenjve. Natyrisht kanë paraqitur edhe probleme në komunikacion, mbyllje të sistemit të kanalizimit dhe ujërave atmosferike, por ka pasur në disa pjesë edhe shembje të dheut”, ka bërë të ditur Kastrati.
Për disa orë e bllokuar ishte edhe magjistralja Prishtinë-Gjilan. 

Aty për të parë gjendjen në terren doli edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. 

E zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka thënë se ai së bashku me zëvendësuesin e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Abdullahu, dhe kryeinspektorin për menaxhimin e emergjencave, Kastriot Lajqi, kanë dalë në terren për ta parë nga afër gjendjen dhe punën e zjarrfikësve.

Nga kjo ministri kanë konstatuar se pas reshjeve të shumta situata është nën kontroll.