LAJMET E MBRËMJES

Vendet aleate i ofrojnë mbështetje Kosovës, pas përballjes me sulmin terrorist

Sulmi në Zubin Potok është dënuar nga përfaqësues të ambasadave në Kosovë si dhe liderë nga vendet e rajonit. Ata i ofruan mbështetje Qeverisë teksa kanë kërkuar hetim të plotë të rastit dhe ndëshkim të përgjegjësve për dëmtimin e kanalit të ujit në Ibër-Lepenc

Sulmi në Ibër-Lepenc ka mbledhur të shtunën ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ato të Bashkimit Evropian në Zyrën e presidentes, Vjosa Osmani.

Temë diskutimi në takim, sipas Presidencës, ka qenë reagimi i institucioneve përgjegjëse pas shpërthimit në Varagë të Zubin-Potokut.

“Presidentja Osmani theksoi se sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.
Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e së premtes u përcoll me reagime të shumta nga faktori ndërkombëtar e rajonal.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e dënoi ashpër sulmin teksa e i shprehu mbështetje të plotë Qeverisë.

“Jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, ka thënë Hovenier.

Mbështetje autoriteteve u ka ofruar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

“E dënoj fuqishëm sulmin në kanalin e ujit në Zubin-Potok që prek komunitetet përreth Kosovës. U bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka deklaruar Rohde.

Shqetësim për sulmin shprehu ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, teksa ata të Francës dhe të Italisë kërkuan që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë.

Ministria e Jashtme e Turqisë, nëpërmjet një njoftimi, shprehu gatishmëri për ta mbështetur Kosovën në rast nevoje.

“Dënojmë ashpër sulmin e kryer dje (29 nëntor) në kanalin e ujit në Zubin Potok në veri të Kosovës, i cili është kritik për furnizimin me ujë dhe energji elektrike të Kosovës. Shpresojmë që ata që kryen sulmin të identifikohen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë. Me këtë rast deklarojmë se qëndrojmë në krah të Kosovës dhe jemi të gatshëm të ofrojmë çdo mbështetje nëse është e nevojshme”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Turqisë.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e quajti sulmin akt sabotues e terrorist teksa kryeministri Edi Rama, i bëri thirrje Bashkimit Evropian për t’ia hequr menjëherë masat ndëshkuese Kosovës tek theksoi se sulmi përbën krim të rëndë që i cenon sigurinë e qytetarëve dhe procesin e normalizimit në rajon.

Reagim pati gjatë ditës edhe nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, që theksoi se sulmet sikurse ai në Zubin-Potok dhe të tjerat e ditëve të fundit në veri nuk kanë vend në rajon dhe kërkoi që autorët e tyre të identifikohen e të përballen me drejtësinë.