Gjashtë persona janë arrestuar për rastin e punëtorit 18-vjeçar që vdiq si pasojë e lëndimeve të marra në një vendpunishte në rrugën “William Walker” në Prizren. Ndaj tyre Gjykata Themelore e Prizrenit të premten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar ankesë në shkallën e dytë të gjyqësorit
Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona, mbikëqyrës e punëtorë të dy firmave, lidhur me rastin e ndodhur më 30 shtator, ku si pasojë e lëndimeve të marra në një vendpunishte në rrugën “William Walker”, ka pësuar me jetë një punëtor 18 vjeç. Sipas Policisë, ata dyshohen për kryerjen e veprës penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës.
Zëdhënësi i Policisë rajonale, Vesel Gashi, ka theksuar se gjashtë të dyshimtit janë arrestuar pas hetimeve disaditore të hetuesve në koordinim me Prokurorinë.
“Arrestimi i tyre ka pasuar pas një pune intensive, veprime këto që janë marrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, hetuesit rajonalë, dhe të njëjtit në këto dy ndërmarrje kanë qenë mbikëqyrës dhe menaxher të dy kompanive për të cilët dyshohet se janë përgjegjës”, ka deklaruar Gashi.
Në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Prokurori i Shtetit, Ramadan Koro, ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve me pretendimin se pa zbatimin e masave të sigurisë janë përgjegjës për vendosjen e pllakave të qeramikës, të cilat në ditën kritike nga ballkoni i katit të dytë rrëshqasin dhe bien në kokë të të ndjerit Astrit Krasniqi, i cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor.
“Për shkak të peshës së veprës penale, në të cilën vepër është paraparë një masë e lartë e dënimit, në rastin konkret, si pasojë e mospërgjegjësisë së të pandehurve për pasojë, ka ardhur edhe deri te vdekja e Astrit Krasniqit, po ashtu kjo vepër penale në shoqërinë tonë është në rritje, prandaj vlerësoj se paraburgimi është masë adekuate”, ka arsyetuar Koro kërkesën për masën e paraburgimit.
Blerim Mazreku, avokat i njërit nga të pandehurit ka theksuar se Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të gjithë të pandehurve pa asnjë bazë ligjore. Për më tepër, sipas tij në mesin e të pandehurve është edhe një person që në ditën kritike ka pësuar lëndime dhe ka mundur të pësojë edhe me jetë.
“Megjithatë ne do ta shfrytëzojmë të drejtën e ankesës, sepse nuk ka asnjë logjikë që shtatë ditë me i lënë personat e lirë, me pasë mundësi me ndiku në prova e në dëshmitarë, me ndryshu komplet gjendjen faktike, e pas shtatë ditësh me ia caktua paraburgimin”, është shprehur Mazreku.
Numri i vdekjeve në vendet e punës në Kosovë sipas të dhënave në Strategjinë Zhvillimore të Inspektoratit të Punës 2023-2027 mbetet i lartë, madje shumë mbi nivelin mesatar të BE-së.