LAJMET E MBRËMJES

Vazhdon greva e transportuesve Podujevë-Prishtinë

Për ndaljen e grevës së shoqatës së transportit “Llapi”, që ka hyrë në ditën e shtatë, zgjidhje nuk ka prodhuar takimi i një grupi punues, i formuar nga Komuna e Prishtinës. Gjatë takimit përfaqësues të shoqatës thanë se nuk u pranuan dy opsionet e tyre që u paraqitën për zgjidhjen e mospajtimeve

Grevën e nisur prej shtatë ditësh nuk e ndali të martën as takimi me një grup punues, të formuar nga Komuna e Prishtinës, për zgjidhjen e mospajtimeve.

Grupi, pjesë e të cilit janë përfaqësues të Shoqatës, të Komunës së Prishtinës e asaj të Podujevës dhe të Ministrisë së Infrastrukturës, do t’i vazhdojë takimet edhe të mërkurën për të gjetur një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët.

Beqir Mustafa, kryetari i shoqatës së transportit “Llapi”, ka thënë se greva nuk është ndalur, pasi Komuna e Prishtinës nuk i ka pranuar opsionet e ofruara dhe i është përmbajtur vendimit që ua ndalon autobusëve të linjës qarkullimin brenda qytetit.

“Opsioni i parë ke qysh kemi punuar deri tash, me ardhë kah ‘Xhamia e Llapit’ e me shku deri në stacion, ata nuk pranuan. Opsioni i dytë, mos me hy te ‘Xhamia e Llapit’ por me vazhdu rrugës drejt Ministrisë së Shëndetësisë, Te rrethi, Stacioni i trenit, në Stacion të autobusëve dhe prapë me u kthye nëpër të njëjtën rrugë. Ata në fillim nuk pranuan, tash e lamë nesër, në orën 8:30, një takim”, ka thënë Mustafa.

Luftar Braha, këshilltar i kryetarit të Prishtinës, ka deklaruar se takimet e grupit punues për gjetjen e zgjidhjes do të zhvillohen deri në fund të javës.

“Tendenca është me arritë një marrëveshje me Komunën e Podujevës, marrëveshje ndërkomunale dhe licencimi i operatorëve ndërurban të jetë ndërkomunal. Me këtë e kishim ba një zgjidhje, sepse marrëveshjet ishin arritë më shpejt. Detyra që ka marrë grupi punues është me fillu sot dhe me përfundu të premten”, ka thënë Braha.

Në shoqatën e transportit “Llapi” nuk u pajtuan me vendimin e ri të Komunës së Prishtinës, që e parasheh përfshirjen falas të biletës gjithëditore për transportin urban në biletën ndërurbane te qytetarët që udhëtojnë nga qytetet e tjera për në Prishtinë përmes Stacionit të Autobusëve.

Sipas tyre, një autobus urban nuk mund të përballojë shërbimin për rreth 50 udhëtarë të një autobusi ndërkomunal.