As të hënën deputetët nuk arritën që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit. Lëvizjes Vetëvendosje, si partia më e madhe, i takon ta propozojë kandidatin për kryekuvendar. Deputeti Glauk Konjufca tha se ata e kanë emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun, por ka theksuar se meqë partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, duhet kohë shtesë për konsultime. Pas kësaj, Dehari ka thënë se seanca do të vazhdojë të mërkurën.
Katër përpjekje e po aq dështime u mbushën në seancën plenare të së hënës, që në rend dite pati zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve.
Seanca nisi me vonesë prej 30 minutash e zgjati vetëm pak minuta, përfshirë këtu një minutë heshtje për vdekjen e Papa Françeskut dhe betimin e deputetit të Partisë Demokratike, Elmi Reçica, i cili këtë obligim s’e kreu të shtunën si kolegët e tij.
Pas këtyre solemniteteve, kryesuesi i seancës Avni Dehari, i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta propozojë emrin për kryetarin e ri të Kuvendit.
Deputeti i partisë më të madhe, Glauk Konjufca, tha se emrin e kanë të njëjtë si në seancën e së shtunës, deputeten Albulena Haxhiu.
Por Konjufca nuk kërkoi që ky propozim të hidhet në votim.
Ai tha se logjika e zgjedhjes së kryetarit duhet të jetë e njëjtë me atë të zgjedhjes së nënkryetarëve, pra të votohet nga të gjitha partitë.
“Lëvizja Vetëvendosje padyshim që e ka emrin e njëjtë, është zonja Albulena Haxhiu si e propozuar por ne e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar që do ta kishin qëndrimin e njëjtë edhe në këtë seancë, mendoj që kjo situatë politike nuk mund të zgjidhjet përveçse me një marrëveshje politike. Ashtu siç votohen nënkryetarët e Kuvendit, atë koncept duhet ta kishte edhe kryetari i Kuvendit, pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin, nuk mund të themelohet vetë Kuvendi. Mirëpo e njëjta logjikë është edhe për nënkryetarët, sikur ne ta zëmë ta kishim shumicën do të mund t’i bllokonim edhe nënkryetarët e Kuvendit, a është kjo e arsyeshme?” – tha Konjufca.
Në legjislaturat e kaluara Lëvizja Vetëvendosje votë pro në propozimet për kryekuvendar pati vetëm kur propozimi erdhi nga vetë ata, por jo edhe herëve të tjera.
Në mungesë të vullnetit për ta hedhur në votim, kryesuesi Dehari e ndërpreu seancën.
“Pas këtij propozimi konsideroj se ndërpritet seanca konstituive, mblidhemi sërish të mërkurën më 23 prill në orën 10:00”, tha Dehari.
Ky është dështimi i katërt për konstituimin e Kuvendit.
Në seancën e së martës, javën që shkoi, deputetët nuk e votuan raportin e Komisionit Parlamentar për Verifikimin e mandateve, hap ky procedural, por që pamundësoi kalimin në pika të tjera të rendit të ditës.
Kryesuesi Dehari, pas kësaj situate iu drejtua me një letër presidencës, nga ku kërkoi sqarime për zgjidhje. E presidentja Vjosa Osmani tha se zgjidhjen duhet ta gjejnë deputetët.
Seanca vazhdoi të enjten, por sërish pa rezultat.
Tek në tentimin e tretë, të shtunën, deputetët e votuan raportin e Komisionit dhe dhanë betimin, me çka iu hap rruga zgjedhjes së kryekuvendarit.
Vetëvendosja, si partia më e madhe propozoi Albulena Haxhiun, por në dy përpjekje ajo mori vetëm 57 vota për.