LAJMET E MBRËMJES

Varrosen mbetjet mortore të të zhdukurve me dhunë nga masakra e Kralanit

26 vjet pas masakrës së Kralanit, janë varrosur në Klinë 8 viktima të zhdukura me dhunë, mbetjet mortore të të cilave u gjetën pas gërmimeve në Bishtazhin të Gjakovës. Dy nga tri viktimat tjera që u gjetën në këtë vend u varrosën në Malishevë. Familjarët, ndonëse i pritën të gjallë, shprehen të lehtësuar që së paku ua gjetën eshtrat.

Tetë viktima të Masakrës së Kralanit që u zhdukën me dhunë që nga 4 prilli i 1999-tës, u varrosën të premten në përvjetorin e 26, me ceremoni në Grabanicë e Jashanicë të Klinës.

Mbetjet mortore të tyre u gjetën në varrezën masive në Bishtazhin të Gjakovës, ku forcat serbe, pasi i kanë vrarë në Kralan, i kanë varrosur aty për ta fshehur krimin.

Përvjetori i 26-të për familjarët qe i rëndë, të cilët mbanin shpresë se të afërmit do t’i gjenin të gjallë një ditë.

Por, shprehen se ndonëse iu gjetën eshtrat, ngarkesa sadopak iu lehtësua.

“Është një gjenocid i madh, ka ende të pagjetur. Duhet t’i gjejmë edhe ata që nuk janë gjetur. Por, pasi i kemi gjetur eshtrat është një lehtësim, bile ta dimë varrin”, ka thënë Shaban Ismajli, familjar i Sheremet Ismajlit.

Në akademinë përkujtimore në Klinë, kryetari i Shoqatës për personat e pagjetur, Zeqir Morina ka thënë se lufta merr fund kur e vërteta dhe drejtësia vihen në vend.

“Ky është një moment që na bënë të kuptojmë edhe më thellë që na që liria nuk është diçka që mund të dhurohet, por është një e drejtë që është paguar me shumë vuajte dhe sakrifica. Është një kujtesë se lufta nuk përfundon vetëm me armë, por përfundon me kërkim të drejtësisë dhe të vërtetës”, ka thënë Morina.

Pos viktimave në Klinë, të premten u varrosën edhe dy nga tre të tjerët nga Malisheva, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në Bishtazhin në fund të 2023-s.

Analiza e ADN-së që u bë në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur me seli në Hagë, u doli në fund të 2024. Ndërkaq, familjet u njoftuan në fillimmarsin e këtij viti.

Nga kjo masakër vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe një numër i madh i viktimave.

Në Kosovë, sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qeveritar, 1588 persona ende figurojnë në listën e të zhdukurve me dhunë.

Vjet institucionet morën 38 raporte të ADN-së, prej të cilave 26 ishin identifikime të reja dhe 12 konfirmime të identitetit të atyre që ishin gjetur më herët.

E këtë vit u gjet vetëm një person në Obranqë të Podujevës, por nuk është identifikuar ende.