Një vajzë dhe një djalë janë foshnjat e para të lindura në 2025-tën, në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në Agjencinë e Statistikave, brenda një dekade nataliteti ka rënë për 42 për qind.
Poema dhe Diamanti janë foshnjat e para të lindura në vitin 2025, në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Dy nënat që lindën foshnjat u vizituan nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Zonja Teutë ka lindur vajzën Poemë, ndërkaq zonja Fortesa ka lindur djalin Diamant. Të dy nënat dhe të dy foshnjat janë shumë mirë me shëndet. Dhe ne ju uruam mbarësi dhe jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre”, ka theksuar Kurti.
Një javë më parë në Gjinekologji është përuruar edhe Shërbimi i frytnimit të asistuar. Dy herët e para shërbimi do t’u ofrohet çifteve falas.
Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, tha se viti 2024 i ka dhënë shumë Klinikës dhe shprehu pritjen që gjatë vitit të ri të nisin shërbime të reja.
“Kemi disa shërbime të reja që presim për vitin 2025, që do të fillojnë, faktikisht kanë filluar por do të zhvillohen dhe do të presim edhe rezultatet e para që në fillim të vitit 2025”, ka deklaruar Ndrejaj.
Në pesë vjetët e fundit kjo është hera e parë që në QKUK kanë lindur dy foshnja në të njëjtën orë. Por, numri i lindjeve nga viti në vit ka shënuar rënie.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, brenda një dekade është shënuar rënie e numrit të foshnjave të lindura për 42 për qind.
Në regjistrimin e para trembëdhjetë vjetësh janë shënuar mbi 35 mijë lindje.
Për shkak të rënies së natalitetit ndër vite, mosha mesatare e popullsisë është rritur në 34.84 vjeç, nga 29.97 sa ishte në 2011-n.
Projeksioni i Agjencisë së Statistikave për vitet 2011-2061 tregon se 2034-a pritet të jetë viti kur Kosova do të fillojë të ballafaqohet me shpopullim.