Me rastin e shënimit të 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Kosova ka marrë mesazhe urimi nga liderë botërorë. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përgëzuar popullin e Kosovës, duke theksuar lidhjet e forta mes dy vendeve dhe rëndësinë e forcimit të tyre përmes investimeve dhe bashkëpunimit. E Mbreti Charles III ka nënvizuar marrëdhëniet e ngushta mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, si dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në çështje globale.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është në mesin e personaliteteve botërore që e kanë uruar Kosovën në përvjetorin e 17-të të shpalljes së pavarësisë.
Në letrën adresuar të dielën presidentes Vjosa Osmani, presidenti Trump i ka cilësuar si të forta lidhjet mes popullit të Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka shtruar nevojën që të zgjerohen edhe më shumë.
“Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, derisa ajo t’i forcojë institucionet demokratike dhe të promovojë rritjen ekonomike nëpërmjet një mjedisi të qëndrueshëm dhe të lirë biznesi”, ka thënë ai.
Presidenti amerikan ka shkruar se Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri.
Ai ka theksuar se SHBA-ja mbështet plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike.
Trumpi është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë muajin e shkuar, pasi fitoi garën presidenciale. Në Kosovë është pritur me drojë zgjedhja e tij, shkaku i qëndrimit që mbajti ndaj kryeministrit Albin Kurti, ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, një nga bashkëpunëtorët e Trumpit.
Në letrën e presidentit Trump adresuar presidentes Osmani, është dhënë mesazh edhe për Qeverinë.
"Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me Qeverinë e Kosovës në vitin që vjen. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë".
Letër urimi, presidentja Osmani ka pranuar edhe nga Mbreti Charles lll.
Në urimin e mbretit thuhet se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ndajnë lidhje të forta.
Ai ka shfaqur shpresën se vendet do të mund të bashkëpunojnë edhe në çështjet globale.
“Jam i kënaqur që vendet tona ndajnë lidhje të forta dhe pres që ta forcojmë edhe më tej miqësinë tonë. Shpresoj se kombet tona do të mund të bashkëpunojnë për të pasur ndikim pozitiv në ndryshimet klimatike dhe çështjet mjedisore, të cilat na prekin të gjithëve globalisht. Unë dhe gruaja ime kemi kënaqësinë që t’ju përcjellim urimet tona më të mira për ju dhe të gjithë kosovarët”, thuhet në mesazh.
Të hënën, Kosova feston pavarësinë, të shpallur më 17 shkurt 2008.
ShBA-ja dhe Britania janë ndër shtetet e para që e kanë njohur Kosovën dhe që atëherë kanë përkrahur afirmimin e saj ndërkombëtar.