Në raportin e njëzetegjashtë me radhë, “Pulsi Publik”, i cili e paraqet perceptimin e qytetarëve për çështjet socioekonomike, ato politike, të sigurisë si dhe ato mjedisore, është theksuar se ka rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve në nivel prej 7.7 për qind ndaj punës së institucioneve qendrore, në krahasim me raportin paraprak, të muajit nëntor
Një rënie prej 2.2 për qind e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e gjykatave dhe të prokurorisë është evidentuar në raportin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i cili është publikuar të enjten.
Në raportin e njëzetegjashtë me radhë, “Pulsi Publik”, i cili e paraqet perceptimin e qytetarëve për çështjet socioekonomike, ato politike, të sigurisë si dhe ato mjedisore, është theksuar se ka rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve në nivel prej 7.7 për qind ndaj punës së institucioneve qendrore, në krahasim me raportin paraprak, të muajit nëntor.
Nuno Queiros, përfaqësuesi i UNDP-së në Kosovë, ka treguar gjatë prezantimit të raportit tri sfidat kryesore me të cilat qytetarët përballen.
“Të dhënat e anketës kanë treguar se tri sfidat kryesore që qytetarët përballen janë varfëria, me 16.6 për qind, papunësia me 16.3 për qind dhe çmimet për furnizimet esenciale, 12.7 për qind”, ka thënë ai.
Në krahasim me raportin paraprak, në raportin e sivjetmë është evidentuar rënie e të anketuarve që e kanë vlerësuar si problem madhor varfërinë dhe papunësinë. Rritje ka pasur te perceptimi i qytetarëve që si problem madhor i shohin çmimet për furnizimet esenciale.
Në aspektin politik, të anketuarit janë pyetur për shkallën në të cilën besojnë se Marrëveshja me Serbinë do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Mbi 50 për qind e tyre janë shprehur të bindur se arritja e një marrëveshje do ta ndihmojë shtetin në këtë aspekt.
Gjithsej 50.6 për qind e të anketuarve besojnë plotësisht se Marrëveshja do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së. Përderisa 35.8 për qind kanë deklaruar se besojnë që Marrëveshja do ta ndihmojë Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së deri diku, 10.3 për qind kanë deklaruar se nuk besojnë fare se do të ndihmojë shtetin e Kosovës në këtë aspekt.
Sa i përket sigurisë në rrugë, në raport është thënë se qytetarët serbë janë shprehur se ndihen më pak të sigurt se sa shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Krahasuar me raportin paraprak të muajit nëntor, perceptimi i serbëve për sigurinë në rrugë ka shënuar rënie prej 5.7 për qind. Ndërsa te shqiptarët dhe te komunitetet e tjera ka rritje të perceptimit për sigurinë në rrugë.
Në kuadër të pyetësorit ka qenë e përfshirë edhe matja e gatishmërisë së qytetarëve për të votuar nëse zgjedhjet do të mbahen së shpejti. Në këto të dhëna është evidentuar rënie e gatishmërisë së serbëve për të marrë pjesë në zgjedhje, në krahasim me raportin paraprak të nëntorit të vitit të shkuar.
“Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se gratë (78 për qind) kanë më shumë gjasa që të votojnë nëse zgjedhjet mbahen së shpejti, në krahasim me burrat (74 për qind). Gjithsej 8.2 për qind e burrave dhe 10.2 për qind e grave kanë deklaruar se do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti. Të dhënat e zbërthyera etnikisht kanë treguar se gjithsej 81 për qind e komuniteteve të tjera të Kosovës (76.5 për qind në nëntor të vitit 2023), 76 për qind e shqiptarëve të Kosovës (73.9 për qind në nëntor të vitit 2023) dhe 54 për qind e serbëve të Kosovës (64.78 për qind kanë gjasa të votojnë nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti”, është thënë në raport.
Të dhënat e raportit janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj të vitit 2024, duke e pasqyruar opinionin e mbi 1.300 të anketuarve në tridhjetë e tetë komunat në vend.
Raporti i UNDP-së, Pulsi Publik, publikohet dy herë në vit, tash e njëzet e dy vjet.