Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të ulen për 8 për qind çmimi i energjisë elektrike e shpenzuar mbi blloktarifë. Kjo zbritje vlen për ekonomitë familjare, kurse për ato komerciale e industriale, zbritja është caktuar të jetë 3 për qind. Tarifat me çmimet e reja do të aplikohen nga 1 prilli i këtij viti deri më 31 mars të vitit të ardhshëm
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka vendosur për uljen e çmimit të energjisë elektrike së shpenzuar mbi blloktarifë, që i bie mbi 800 kilovatë orë në muaj.
Ulja është 8 për qind për ekonomitë familjare e 3 për qind për ato industriale e komerciale.
Propozimi i drejtorit për tarifa i ZRRE-së, Ymer Rudari, ka marrë miratimin në mbledhjen e tretë për këtë vit të bordit, e mbajtur të martën.
“Tarifat në bllokun mbi 800 KW, nga 14.45 centë sa është të bëhet 13.29 centë, përkatësisht një zbritje prej 8%”, ka propozuar Rudari për ekonomitë familjare.
E propozimi u arsyetua me rënien e çmimit të importit të energjisë elektrike.
Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së, e ndërlidhi vendimin për ulje të çmimeve edhe me kursimin e energjisë nga qytetarët.
“ZRRE-ja është duke e luajtur rolin e saj në reflektimin e kostove, që kurdo që kemi kursime ato do të reflektohen, edhe konsumatorët është mirë që edhe në ditët në vijim të mundohen të kursejnë sa më shumë energji, në mënyrë që të kemi kursime dhe të reflektohen në vitin vijues. Prandaj, edhe këtë rast duhet kuptuar që kjo tarifë hyn në fuqi nga 1 prilli 2024 deri më 31 mars 2025”, ka thënë Zejnullahu.
Ulja e çmimit do të zbatohet edhe në tarifën e natës, nga 6. 81 centë në 6.26 centë.
Më 2022, kur është kthyer blloktarifa për shpenzimet mbi 800 kilovatë, çmimi ishte 12.52 centë gjatë ditës, e 5.9 gjatë natës. Zbritja nuk do të aplikohet për ekonomitë që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë në muaj.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së pas mbledhjes shpjegoi përse tarifa nuk është ndryshuar edhe për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë për orë.
“Vlen të potencohet që konsumatorët deri në 800 kilovatë orë paguajnë e kanë paguar edhe në të kaluarën nën koston e shërbimit. Prandaj ne e kemi parë të arsyeshme që ajo kategori e konsumatorëve që janë duke u shërbyer nën koston e sistemit mos të kenë zbritje”, ka theksuar Zejnullahu.
E, pas këtij vendimi të ZRRE-së ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike dhe kryesuese e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajrami ka shprehur vërejtjen se ulja prej 8 për qind e miratuar të martën, nuk do të vërehet pothuajse nga askush. Ajo ka shkruar se gjatë mandatit të kryeministrit, Albin Kurti, dhe me bekimin e tij, çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë.
“Herën e parë çmimi i energjisë është ngritë për konsum familjar dhe atë tarifa e lartë është ngritë për 104% dhe tarifa e ulët për 85% (për shpenzimin mbi 800 KWh), ndërsa herën e dytë çmimi i energjisë elektrike është ngritë për 15% për të gjithë shpenzuesit. Sot, Zyra e Rregullatorit të Energjisë paska vendosë ta ulë çmimin për 8%, ulje kjo që nuk do të vërehet pothuajse nga askush. Do të thotë ngritje mbi 100% dhe ulje vetëm 8%, edhe pse arsyet që janë përdorë kur është ngritë çmimi i energjisë sot janë inekzistente”, ka shkruar Bajrami.
KOHA ka raportuar që në fillim të vitit se çmimet e energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare kanë qenë më të ulëta sesa që u pasqyruan në parashikimet e ZRRE-së për vitin e kaluar.