LAJMET E MBRËMJES

“Turpi nuk është i yni”, Nishori bëhet burri i parë që flet për dhunën seksuale gjatë luftës

Ramadan Nishori e ka thyer heshtjen dhe stigmën e burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës duke e shpalosur rrëfimin e tij në publik. Nishori ka thënë se e rrëfeu tmerrin jo se e ka hedhur prapa shpine atë që e kaluar, por që të mos mbetët peng i së kaluarës. Në ngjarjen e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, ai ka treguar mes tjerash se si mbështetja nga Vasfije Krasniqi dhe familjarë të tij ishin kyç në rrugëtimin e tij të shërimit dhe i dhanë forcë për ta thyer heshtjen

Ramadan Nishori të hënën ka thyer heshtjen dhe ka ndarë me publikun atë që e ka vrarë përbrenda për 27 vjet.

“Vdekja për mua do të ishte paqe”, ka thënë Nishori, i mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. 

Ai kështu është bërë buri i parë që publikisht ka pranuar se është dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës. Pos dhunimit, thotë se atë ditë të tmerrshme edhe u kërcënua.

“Mua atë ditë nuk më morën në pyetje, por ata policët civilë filluan të më kërcënonin: se kjo çfarë të ka ndodhur ty nuk guxon kurrë në jetë t’i tregosh kurrkujt”, ka thënë ai. 

Në vitin 1998, në Stacionin Policor të Drenasit, Nishori, që atëbotë ishte ishte 22 vjeç, u dhunua nga një polic serb. 

Ai thotë se ajo që përjetoi “nuk harrohet kurrë”.

“Unë jam sot këtu jo se e kam harruar atë që ka ndodhur, por jam këtu sot që të mos mbetem rob i së kaluarës”, ka thënë ai. 

Deklaratën dhe fjalimin e tij në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, që në Kosovë shënohet çdo 14 prill, ai ka thënë se ua kushton plagëve të të mbijetuarve që ende nuk kanë marrë zemër ta thonë të vërtetën e tyre dhe të kërkojnë drejtësi. 

Ka rrëfyer se ka shkuar shumë herë para zyrave të Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, por e kishte vështirë ta mblidhte forcën e të kërkonte ndihmë, derisa thotë se e pa në televizor Vasfije Krasniqin, e cila fuqizoi të mbijetuara të shumta në Kosovë.  

“E kam marrë e i kam shkruar në ‘messenger’ fill dhe faleminderit shumë prej saj filluam të bisedojmë. I tregova. I tregova se shumë herë po vij deri te organizata, por nuk po mundem të hyj brenda”, ka thënë Nishori. 

Traumat, siç ka treguar Nishori, i shfaqeshin edhe më ashpër në netët pa gjumë, teksa ai nuk donte t’i tregonte familjes së tij për dhunën seksuale që ka përjetuar. 

Këtë ia bënte të vështirë frika e asaj se si do të perceptohej si burrë i dhunuar gjatë luftës. 

“Më vinte që qaja, të bërtisja me të madhe. Ikja natën nga shtëpia e dilja. Qaja aq sa mundja dhe kthehesha në shtëpi”.  

I mbyllur në vetvete për shumë vjet, Nishori u largua nga vendlindja dhe u vendos në Fushë-Kosovë. 
Vetëm në vitin 2005 mori guximin që t’u tregonte bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij për dhunën me të cilën u përball më 1998.

“Të nesërmen në mëngjes më tha: Dan, luftë ka qenë, çdonjërit i ka ndodhur të na ndodhte kjo. Përderisa e ke pasur përkrahjen time, tash e tutje do ta kesh edhe më shumë. ...Me fjalë nuk munda t’i them. Ia kam vendosur përpara vendimin e Komisionit Qeveritar që ma kaë njohur statusin. Vajza, si e pa tha babush për këtë e di unë qe tri a katër vjet”, ka thënë Nishori. 

Ka thënë se pasi mori mbështetjen në organizatë e nga familja, ndjeu lehtësim të madh. 

“Në atë moment kam qarë. U ndjeva shumë i çliruar, u ndjeva sikur nga vetja i hoqa 500 kilogramë, shumë i çliruar”, ka rrëfyer ai.  

Përfaqësuesit e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT) e familjarë të tij thanë, ndër të tjera, se Dani, siç e njohin në organizatë, është për t’u marrë shembull nga shumë burra për guximin e tij tek u bënë thirrje familjeve për mbështetje. 

Ramadan Nishori është edhe i mbijetuar i masakrës së Dubravës edhe i keqtrajtimeve në burgjet e Prishtinës, Lipjanit e edhe burgjeve të Serbisë gjatë e pas luftës. 

Ai bën pjesë tek ata të burgosurë që u mbajtën si peng lufte nga Serbia deri në mars të vitit 2001, e që u liruan pas presionit ndërkombëtar. 

Ende nuk dihet numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë, gra dhe burra. 

E liderët institucionalë në rastin e Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së fundit në Kosovë kanë çmuar Ramadan Nishorin, bashkë me të tjerë që thyen heshtjen për dhunën seksuale gjatë luftës. 

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se njerëzit si Nishori, Vasfije Krasniqi e Shyhrete Tahiri-Sulimani, janë shembull i luftës për të vërtetën. 

“Është shembull i grave e burrave që nuk kanë lejuar që dhimbja t’i mposhtë, por e kanë shndërruar dhimbjen e tyre në shembull të guximit, në shembull të pamposhtjes dhe në shembull të qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës. Është qëndrueshmëria e grave si Vasfia e Shyhretja e edhe e burrave që nga sot kanë dalë të flasin publikisht për atë që kanë përjetuar  nga regjimi gjenocidal që e bën Kosovën një shembull të asaj se si duhet të luftohet për të vërtetën dhe për drejtësinë”, ka thënë Osmani. 

Pasi bëri homazhe te Memoriali Heroniat, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se Nishori bëri thirrje të fuqishme për burrat e mbijetuar. 

“Nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sulimanin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë, edhe për mijëra gra e burra të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se synimi i tyre është pikërisht që Ramadan Nishori të shërbejë si shembull për të mbijetuarit e tjerë. 

“Mos të harrojmë se burrat e kanë shumë më të vështirë. Ju e dëgjuat rrëfimin e Danit sot se sa e vështirë ka qenë të flasë, se sa e vështirë ka qenë që të dalë mbi petkun e viktimës dhe të rrëfejë rrëfimin e vet, mirëpo janë rreth 100 burra që marrin shërbime në organizatë dhe ne shpresojmë që rrëfimi i tij sot t’i fuqizojë edhe mijëra zëra, qoftë të grave, qoftë të burrave që të vijnë e të kërkojnë pikë së pari rehabilitim sepse pa mirëqenie psikologjike e mendore është e vështirë t’i qasesh qoftë reparacioneve apo njohjes ligjore, qoftë rrugëve të drejtësisë”, ka deklaruar Rushiti. 

Ndërkohë e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, ndër të parat që ka folur për këtë krim serb, ka thënë se ajo që ka bërë Nishori, është më shumë sesa rrëfim. 

Sipas saj, është histori që do të ndryshojë shumë jetë.

“Do të jem përkrahja jote më e madhe, jo sepse më ke zgjedhur, por sepse e meriton. Dhimbja dhe vuajtja jote nuk janë vetëm e kaluara jote, por një barrë që ti e ke kthyer në forcë dhe në zë për të gjithë ata që nuk mund të flasin ende. Të jetosh në një shoqëri kaq patriarkale, ku burrat mësohen të heshtin, ku dhimbja maskohet me forcë dhe ku plagët nuk pranohen – dhe të marrësh guximin të dalësh para botës dhe të flasësh për dhunën seksuale që ke përjetuar – është një akt që frymëzon. Është një dritë në një rrugë të errët. Ti je shembull për gjithë ne, në këtë vend, në këtë kohë.
Përkulem me respekt para forcës tënde, para vullnetit tënd për të mos u dorëzuar, për të luftuar për të vërtetën tënde. Faleminderit edhe familjes tënde, që u bë krah dhe mbështetje, që të qëndroi afër kur rruga ishte më e vështirë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se vendimi i Nishorit për të dalë hapur që të tregojë për përjetimet e tij, është akt që frymëzon.

“Ky rrugëtim, Ramadan, nuk është i lehtë. Është i mbushur me pengesa, me mosbesim, me stigma. Por është i domosdoshëm. Jo vetëm për ty, por për të gjithë ne. Shpresoj me gjithë zemër që shoqëria jonë të të trajtojë me respektin dhe dinjitetin që e meriton, dhe që shteti të njohë dhe të vlerësojë aktin tënd të guximshëm – sepse ajo që ke bërë ti sot është më shumë se rrëfim, është histori që do të ndryshojë jetë”, ka shtuar ajo.

Të hënën në Kosovë është shënuar Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës.

Në këtë ditë Qeveria në detyrë në një mbledhje elektronike të zhvilluar, ka vendosur që afati për të aplikuar për njohje të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës të shtyhet deri në maj të vitit 2027. 

Gjithashtu deri më 15 maj të vitit 2028, i është vazhduar mandati Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.