Dy njësi të ndërmarrjes “Trepça” janë në gjendje të jashtëzakonshme. Me vendimin e një dite më parë, janë anuluar edhe pushimet e punëtorëve të planifikuara për muajt shtator, tetor dhe nëntor.
Njësia biznesore “Trepça” Stantërg dhe Kishnicë-Artanë janë zyrtarisht në gjendje të jashtëzakonshme.
Me vendim të ushtruesit të detyrës së kryeshefit, Faton Ahmeti, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme i anulon pushimet e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje me qëllim të plotësimit të objektivave të prodhimit.
Vendimi i datës 26 gusht përbëhet prej tri pikave dhe shpall në gjendje të jashtëzakonshme të gjitha njësitë, përveç njësisë biznesore Kopaonik-Leposaviq.
“1) Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për njësinë biznesore Minierat me Flotacion “Trepça” Stantërg si dhe njësinë biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë për realizimin e planit të biznesit për sasinë e koncentratit të humbur për ditët e grevës; 2) të realizohet plani i veprimit pasi kemi bërë zotim te aksionari për realizimin e planit të veprimit për organizimin dhe subvencionimin sipas vendimit të Qeverisë; 3) të pezullohen përkohësisht pushimet vjetore të planifikuara për muajt shtator, tetor dhe nëntor 2024”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e këtij vendimi përmenden humbjet shkaku i grevës.
“Për shkak të mungesës së aktivitetit në njësinë biznesore Minerat me Flotacion “Trepçë” Stantërg dhe në njësinë biznesore Minierat me Flotacion Kishnice dhe Artanë nga data 10.07.2024 deri me 15,08.2024 kemi pasur humbje të mëdha ditore në prodhim dhe ndalesë në realizimin e planit të biznesit, andaj u.d Kryeshefi vendosi si në dispozitivin këtij vendimi”, u tha në vendim.
Lidhur me këtë vendim është lënë afat tetëditor për ankesë pranë Komisionit të Ankesave të kësaj ndërmarrje.
“Trepça” kohëve të fundit është përballur me greva meqë punëtorëve nuk u kanë dalë pagat.
Kjo ndërmarrje publike ka qenë vazhdimisht me bilanc negativ dhe ka operuar vazhdimisht me humbje të mëdha e borxhe dhjetëra milionëshe.
Qeveria i ka ndarë mbi 28 milionë euro në katër vjetët e fundit, e shumica e këtyre mjeteve janë shpenzuar për t’i paguar pagat e mbi 1 mijë punëtorëve.