LAJMET E MBRËMJES

Tre të vdekur e afro 700 të infektuar me COVID-19 vetëm gjatë gushtit, IKSHPK: Situata është e menaxhueshme

Afro 700 persona janë infektuar me SARS-COV 2 gjatë muajit gusht, e tre nga ta kanë vdekur. Në institucionet shëndetësore thonë se situata është e menaxhueshme e janë mirë të përgatitur, por bëjnë thirrje për kujdes e testime.

Tre persona të prekur me COVID-19 kanë vdekur gjatë këtij muaji, dy prej të cilëve para dy ditësh, e numri i të infektuarve gjatë këtij muaji është rreth 700.

Momentalisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare janë 10 pacient me Coronavirus, dy prej tyre po mjekohen me oksigjenoterapi.

Drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj, tha se vetëm gjatë vikendit pati dy raste që përfunduan me fatalitet.

“Dy ditë më parë në Klinikën Infektive dy pacientë kanë përfunduar me vdekje, njëri në moshën 80-vjeçare, i cili ka qëndruar në Klinikën infektive dy orë, ngase ka pasur sëmundje të tjera të rënda kronike, dhe një pacient tjetër në moshën 67-vjeçare, i cili lëngonte nga sëmundje të tjera të renda kronike, i cili ishte duke u trajtuar më herët në Klinikën Infektive”, tha Vishaj.

Vishaj ka thënë se si klinikë janë të përgatitur dhe të furnizuar mjaftueshëm për t’u kujdesur për pacientët.

E në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë thënë se numri i rasteve ka pasur rritje javëve të fundit.

Por theksojnë se situata është e menaxhueshme, mirëpo bëjnë thirrje për kujdes.

“Shpërndarja e tij është në rritje dhe rastet që kanë përfunduar edhe me fatalitet, tregon se nuk duhet të nënvlerësohet për shkak të rrezikut që bart dhe pasojave që mund t'i shkaktojë. Analiza e situatës epidemiologjike ka treguar për rritje të numrit efektiv të riprodhimit, dhe burimet e infeksionit janë në komunitet. Prandaj të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm për të zbatuar masat e kujdesit duke filluar nga mbajtja e higjienës, shmangia e kontakteve me të infektuar, testimi dhe masat e tjera”, tha IKSHPK

Sipas IKSHPK-së, varianti i koronavirusit që po qarkullon është ai Omicron dhe nënvariante të tij.