LAJMET E MBRËMJES

Tre serbët e arrestuar për sulmin terrorist në Banjskë nuk e pranojnë fajësinë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën u mbajt seanca përgatitore për sulmin terrorist në Banjskë, ku asnjëri nga tre të arrestuarit nuk e pranoi fajësinë. E, Arianit Koci, avokati i familjes së rreshterit të vrarë në sulmin e vitit të shkuar, Afrim Bunjaku, tha se ka informacione se do të ketë aktakuzë të re, ose aktakuza do të zgjerohet

Asnjë nga tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit nuk e ka pranuar fajësinë, në seancën përgatitore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën.

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan, por sipas gjykatësit kjo interpretohet si mospranim i fajësisë. E, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin e kryer më 24 shtator 2023.

“I nderuar gjyqtar, unë jam i vetëdijshëm që shumica në këtë sallë mendojnë që jam i përfshirë në këtë vepër penale. Unë deklarohem se nuk jam fajtor dhe nuk kam lidhje me këtë aktakuzë me të cilën jam ngarkuar”, tha ai.

Seanca e së mërkurës nisi me leximin e emrave të të akuzuarve që ndodheshin në sallën e gjyqit, ndërkohë që prokurori lexoi aktakuzën.

Pas përfundimit të seancës, Arianit Koci, avokati i familjes së rreshterit të vrarë në këtë sulm Afrim Bunjaku, tha se ka informacione se do të ketë aktakuzë të re.

“Pres që do të dënohen të gjithë për shkak se ka prova të pakundërshtueshme. Është çdo gjë e qartë që në fillim, kam informacione që janë edhe shumë persona të tjerë të përfshirë, a do të ngrihet edhe ndonjë aktakuzë e re, apo do të zgjerohet kjo mbetet në strategjinë e Prokurorisë, sidoqoftë hetimet për këtë rast në mënyrë të vrullshme dhe intensive po vazhdojnë”, tha Koci.

Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por ajo u shty pasi mbrojtja e të akuzuarve kërkoi kohë shtesë për leximin e shkresës së lëndës dhe të provave të Prokurorisë.

Prokuroria Speciale, më 11 shtator të këtij viti ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për kryerje të veprës terroriste dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë të Republikës së Kosovës, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë. Ata janë arrestuar në ditën e sulmit.

Në seancën e 25 shtatorit, Prokuroria pati kërkuar që gjykimi të nisë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, po për këtë fillimisht është paralajmëruar të merret një opinion nga Gjykata Supreme.