Tre malazezët e arrestuar më 24 nëntor do të mbahen në paraburgim. Apeli ka konfirmuar të enjten vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë për 30 ditë paraburgim. Ata u arrestuan, pasi nëpër Deçan u kapën duke lëvizur me një veturë, ku në targa ishte e shkruar në serbisht “Kosova është Serbi”. Rasti i ka kaluar Prokurorisë Speciale
Dy ushtarëve të Malit të Zi, Rajko Krivokapiq e Dragutin Llallatoviq dhe një qytetari të këtij vendi, me inicialet M. J., të enjten u është konfirmuar paraburgimi prej 30 ditësh.
Vendimi ishte marrë nga Gjykata Themelore në Pejë – dega në Deçan më 26 nëntor, pasi malazezët dyshohen për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të tre të dyshuarve, të cilët sipas Prokurorisë nxitën të përçarje, duke kaluar nëpër qendër të Deçanit me një veturë me targa ku shkruhej “Kosova është Serbi” në gjuhën serbe.
“Gjykata e Apelit e Kosovës ka vlerësuar edhe masat e tjera në kuptim të nenit 171 të KPP-së, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore ndëretnike, vendbanimin e të pandehurve – sipas vlerësimit të Gjykatës, caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm në këtë fazë të procedurës”, thuhet në aktvendimin e Apelit për paraburgimin.
Mbrojtësit e të pandehurve si në shkallë të parë, e edhe në të dytën kanë paraqitur si argument faktin se Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie ndërshtetërore dhe sipas tyre, fraza “Kosova është Serbi” hyn në domenin e lirisë së shprehjes.
Avokatja Jovana Filipoviq ka thënë se edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mendim të ngjashëm, duke thënë “Kosova është Shqipëri”.
Këtë deklaratë, Kurti e dha muajin e kaluar, teksa i jepte përkrahje përfaqësueses së Kosovës në futboll, lojtarët e së cilës u larguan nga fusha në Bukuresht pas thirrjeve të tifozëve rumunë “Kosova është Serbi”.
“Do ta përfundoj këtë fjalë timen duke e cituar Amir Rrahmanin saktësisht. ‘Dua t'i bëj thirrje UEFA-s dhe FIFA-s që të mos i lejojnë këto gjëra. Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë, masakra e gjithçka, s'ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt, të gjithë duhet ta dinë: Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri, kaq!”, pati thënë Kurti më 17 nëntor.
Në vendimin e së enjtes të Apelit për mbajtje në paraburgim, është marrë parasysh se tre malazezët jetojnë në Nikshiq dhe se ekziston rreziku real i arratisjes së tyre.
Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, dy prej të pandehurve, kanë shprehur gjuhë të urrejtjes edhe gjatë marrjes në pyetje në stacion policor. Mbajtja e tre shtetasve malazezë është diskutuar edhe në Kuvendin e Malit të Zi, ku partitë proserbe kanë kërkuar lirimin e tyre, duke i kërkuar edhe deputetit shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Çapuni, që të ndikojë të institucionet e Kosovës.
E me këtë rast tash e tutje do të merret Prokuroria Speciale.