Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, teksa tre të akuzuarit e tjerë - Egzon Azemi, Qerim Elshani e Edi Zenelaj - i ka dënuar me nga 6 muaj burgim për nxitje të urrejtjes dhe kanosje të gjyqtarit Mentor Bajraktari e ish-prokurorit special, Afrim Shefkiu. Pas vendimit, njëri nga të akuzuarit reagoi kundër vendimit
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga fajësia zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në rastin për nxitje të urrejtjes dhe kanosje të gjyqtarit Mentor Bajraktari e ish-prokurorit special, Afrim Shefkiu.
E tre të akuzuarit e tjerë në këtë rast – shefi i kabinetit të Ministrisë së Shëndetësisë, Egzon Azemi, dhe Qerim Elshani e Edi Zenelaj – janë shpallur fajtorë dhe u është shqiptuar dënimi me nga gjashtë muaj burgim.
Në seancën e së premtes, në të cilën u paraqit vetëm i akuzuari Elshani, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, i numëroi argumentet për vendimin.
E të akuzuarit Zenelaj iu bë rikualifikimi i veprës penale nga “kanosje” në “nxitje të përçarjes” dhe “mosdurimit”.
Lidhur me vendimin e Gjykatës reagoi pas seancës Egzon Azemi, që akuzohet për nxitje të përçarjes.
“Unë, Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani u dënuam me 6 muaj burg apo 1 vit e gjysmë gjithsej, sepse Afrim Shefkiu u ndie i ‘kërcënuar, pasi liroi terroristin serb Dejan Pantiq. Edi për një grafit ku shkruhej shtyllë e turpit, Qerimi për një koment, ndërsa unë për postimin e një thënie të Avniut. Prokuroria Speciale është e dorëzuar para kriminelëve, prandaj akuzon e dënon aktivistë. Por një ditë do të ketë drejtësi të vërtetë. Poshtë kriminelët e tradhtarët! Avniu gjithmonë mbetet hero!”, shkroi Azemi në Facebook.
Në këtë rast, Prokuroria ka akuzuar Manxhukën e Azemin se kanë nxitur urrejtje e mosdurim ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari e prokurorit Afrim Shefkiu me postimin e dhjetorit të 2022-tës. Azemi pati shpërndarë citatin “tradhtarët, plumbin e kanë hak” e Manxhuka ka shkruar se “ky aktlirim është akt tradhtie”, kur ndaj Pantiqit u ndryshua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
E Elshanin, Prokuroria e akuzoi se i kanosi prokurorin e gjyqtarin, duke shkruar se atyre “duhet t’u hidhet bombë në gojë”, ndërsa Zenelajn pasi bëri grafite me emrat e tyre, duke i kualifikuar si shtyllë turpi.