Me moton “Ma kthe adresën”, dhjetëra qytetarë të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës e udhëheqës të partive politike kanë kërkuar kthimin e adresave nga Serbia. Protestuesit kanë kërkuar trajtim të barabartë në Serbi. Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri tash janë pasivizuar rreth gjashtë mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë
Në mënyrë të organizuar, dhjetëra shqiptarë të Luginës së Preshevës të dielën janë mbledhur për herë të tretë për të protestuar për të njëjtin qëllim, atë të kthimit të adresave.
Me moton “Ma kthe adresën”, qytetarë nga Medvegja, Bujanoci e Presheva marshuan nga zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar në drejtim të stacionit policor në Medvegjë, ku edhe u mbajt protesta.
Pankartat me kërkesat që i kishin nuk vendosën t’i mbanin në duar, por i lanë në hyrje të stacionit policor.
Për dallim nga dy protestat e kaluara në këtë protestë numri i zyrtarëve policorë ishte shumë më i madh.
Osman Sadiku, që jeton e vepron në Medvegjë, ka thënë se pasivizimi i adresave nuk është problemi i vetëm, që ai dhe shumë pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, përballen tash e disa vjet.
“As nuk jemi në qiell, as nuk jemi në tokë. Shumica e këtyre qytetarëve që janë të fshirë këtu, të njëjtit nuk kanë as adresa në Kosovë. Mu baba m’i ka lënë pronat e tij në Medvegjë me vëllezërit e mijë, ka shtatë vite që nuk kemi mundur t’i përkthejmë pronat që na i ka lënë baba”, ka thënë Sadiku.
E me fshirje të adresave po përballen edhe shumë shqiptarë të tjerë që jetojnë në Medvegjë.
Për këtë, ata kërkojnë reagim nga bashkësia ndërkombëtare.
“Medvegja historikisht ka qenë një banko provë e eksperimenteve të ndryshme nga këtu duke qenë hallka më e dobët e substancës tonë janë provuar dhe janë ushtruar edhe në Bujanoc dhe Preshevë dhe dikur kanë arritur edhe në Kosovë”, ka thënë ai.
Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, e ka akuzuar Qeverinë në Beograd për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare.
Sipas tij, Serbia nuk e dëshiron integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
“Po ndodh në një shtet i cili së paku zyrtarisht, së paku formalisht është në procesin e integrimit të Bashkimit Evropian, nuk mund të jesh pjesë e Bashkimit Evropian, duke diskriminuar një pjesë të qytetarëve këtu, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike”, ka thënë Kamberi.
E kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka thënë se protestat do të vazhdojnë deri kur kërkesat e tyre të realizohen.
“Ktheni adresat tona, ktheni të drejtën e votës, të drejtën për t’u pajisur me letërnjoftime e pasaporta, sepse protestat nuk do të ndalen në tri komunat shqiptare të Luginës së Preshevës”, ka thënë Lutfiu.
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Luginës kanë protestuar. Me kërkesa të njëjta kanë protestuar edhe në Preshevë dhe Bujanoc.
Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tash janë pasivizuar rreth gjashtë mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Me pasivizim të adresave, shqiptarët humbin të drejtën në pronë dhe në dokumente.
Përveç pasivizimit të adresave, shqiptarët në Luginë përballen edhe me mosnjohje të diplomave të Kosovës dhe kërkojnë njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Në Raportit e Progresit për këtë vit, i hartuar nga Komisioni Evropian, Serbia është kritikuar për shkeljen e të drejtave të njeriut në Luginën e Preshevës. Në Raport përmendet edhe pasivizimi i adresave të shqiptarëve.
Raporti përmend kontrollet policore dhe pasivizimin e adresave duke potencuar se shqiptarët në Serbi janë përballur me procedura të paqarta dhe mungesë transparence nga autoritetet.
Aty përmendet edhe mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike dhe në polici.
“Pjesëtarët e pakicës shqiptare ngritën shqetësime për mënyrën se si policia po kontrollonte statusin e vendbanimit të tyre në Serbinë jugore, duke rezultuar në ‘pasivizimin’ e adresave. Është e nevojshme që autoritetet t’i shpjegojnë më mirë publikut se si po kryhen këto kontrolle. Zbatimi i planit të veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione duhet të përshpejtohet dhe të çojë në përmirësime të prekshme. Pakicat kombëtare mbeten të nënpërfaqësuara në administratën publike dhe polici. Progresi në shtypjen e teksteve të caktuara në gjuhët e pakicave duhet të intensifikohet më tej, si dhe mësimi i serbishtes si gjuhë shtesë”, thuhet në Raport.
Shaip Kamberi, deputet në Parlamentin e Serbisë, ka thënë se Raporti i Progresit për Serbinë është thirrje për drejtësi dhe barazi për shqiptarët e Luginë të Preshevës.
Ai ka shtuar se ky dokument është pasqyrë e situatës së pakicave, teksa ka renditur disa nga pikat që thotë se janë në Raport e që nga shqiptarët janë ngritur vazhdimisht si probleme.
“Ky raport nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si thirrje që Serbia të përmbushë detyrimet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të drejtave e pakicave, të veprojë në mënyrë transparente dhe të respektojë të drejtat e shqiptarëve si qytetarë të barabartë. Ne nuk do të heshtim! Të drejtat tona duhet të mbrohen, dhe zëri ynë do të dëgjohet”, ka shkruar Kamberi në rrjetet sociale.
Javë më parë Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë shprehën, po ashtu, shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.