Nëpërmjet një shkrese të ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve në rastin më të madh para Gjykatës Speciale, është dhënë alarmi se gjyqtarët po tregohen të anshëm. Bazuar në të, trupi gjykues ia ka mbajtur anën Prokurorisë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë humbur besimin në paanshmërinë e gjyqtarëve të Speciales.
Këtë e kanë shprehur në një letër 12-faqëshe, avokatët e katër të akuzuarve për krime lufte.
Avokatët janë ankuar, pas përfundimit të seancave të mbajtura nga data 21 tetor deri më 7 nëntor, kur dëshmuan ish-pjesëtarët e UÇK-së Haxhi Mazreku, Shukri Buja, Fadil Geci dhe Nuredin Ibishi.
“Të kufizohet praktika e sugjerimit të përgjigjeve te dëshmitarët, përfshirë parafrazimin e pyetjeve në kornizën e “Nuk dua të t’i vendos fjalët në gojë” dhe më pas t’ia vendosë dëshmitarit fjalët në gojë. Është posaçërisht e rrezikshme kur gjyqtarët ia sugjerojnë dëshminë dëshmitarit, duke e ditur që dëshmitarët pashmangshmërisht do t’i shohin gjyqtarët si autoritet, të cilit duhet t’ia marrin parasysh sugjerimet”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes.
Rastet konkrete nuk tregohen në shkresë. Por, në regjistrat publikë të gjykatës del më shumë se tri herë që gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux, ka përdorur shprehje të tilla si “nuk dua t’i vendos fjalët në gojë”. Kohë pas kohe atij i kanë shprehur shqetësime edhe mbrojtësit, me ç’rast ai i ka rifrazuar pyetjet e tij.
E në shkresën e mbrojtjes thuhet se me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, sugjerohet se gjyqtarët po parashtrojnë pyetje në drejtim të vërtetimit të akuzave, përtej asaj që e ka për synim prokuroria.
“Të shmanget marrja në pyetje e gjyqtarëve në mënyrë që të nxirren prova kundër të akuzuarve përtej asaj ku shtrihet marrja direkt në pyetje e Prokurorisë... Nuk është roli i duhur i gjyqtarëve në sistemin kundërshtues (averserial), ta ndjekin rastin përtej asaj që prezantohet prej Prokurorisë”, thuhet në kërkesë.
Në këtë shkresë të avokatëve të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ka edhe referenca në Kushtetutën e Kosovës dhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të Njeriut, për raste kur gjyqtarët ua kanë shkelur të drejtat të akuzuarve.
Gjykata Speciale nuk i është përgjigjur ende kësaj kërkese të mbrojtjes dhe nuk u është përgjigjur as pyetjeve të KOHËS lidhur me mënyrën se si do t’i përgjigjet shkresës së përbashkët.