LAJMET E MBRËMJES

Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat rreth pengimit të drejtësisë

Deklarimin e pafajësisë, Thaçi e ka bërë në formë të shkruar të hënën, duke i kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor të vitit të shkuar. Sipas aktakuzës, gjatë periudhës prill-nëntor të 2024-s sa është vizituar në paraburgim, Thaçi u ka dhënë mysafirëve informacione konfidenciale për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar

Ish-presidenti Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së dytë të ngritur kundër tij nga Dhomat e Specializuara dhe që e ngarkojnë atë me akuzën për pengim të administrimit të drejtësisë, ka njoftuar të martën Gjykata Speciale në Hagë.

Deklarimin e pafajësisë, Thaçi e ka bërë në formë të shkruar të hënën, duke i kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor të vitit të shkuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ngarkon ish-presidentin me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë për procesin gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.

“Pas ftesës së gjykatëses së procedurës paraprake në konferencën për ecurinë e çështjes më 17 dhjetor, Hashim Thaçi u deklarua lidhur me fajësinë në formë të shkruar më 6 janar 2025. Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, kanë thënë në ZPS.

Më 6 dhjetor të 2024-s, Specialja ka bërë publike aktakuzën e re kundër Thaçit, kundër ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Fazliu.

Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës prill-nëntor të 2024-s sa është vizituar në paraburgim, Thaçi u ka dhënë mysafirëve informacione konfidenciale për dëshmitarët e ZPS-së.

Në dokumentin e Speciales është thënë se Thaçi u ka dhënë udhëzime dhe hollësi Kilajt, Smakajt, Fazliut dhe Kuçit se si të ndikojnë te dëshmitarët dhe se ata janë pajtuar me instruksionet.

Aktakuza e re është ngritur në kohën kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë të mbajtjes në paraburgim në Hagë nën pretendimet për krime lufte.

Ndaj tyre është duke u zhvillohet një proces gjyqësor që aktualisht ndodhet në fazën e paraqitjes së dëshmitarëve të thirrur nga ana e ZPS-së. 

Çështja e prokurorisë pritet të mbyllet në pranverën e këtij viti, për t’u hapur rrugë më pas dëshmitarëve që mund të ftohen nga mbrojtja.

Deri më tash, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë. Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani. Ndërkohë, ato ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.