Dy të akuzuarit në rastin më të ri të Speciales, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, nuk janë deklaruar lidhur me fajësinë për akuzat për ndikim te dëshmitarët. Thaçi ka aluduar se aktakuzat janë të ndikuara politikisht, meqë njëra iu ngrit para se të rizgjidhej president e kjo e fundit në prag të zgjedhjeve nacionale në Kosovë
Ish-presidenti Hashim Thaçi, nuk e ka mohuar të martën, por as nuk e ka pranuar fajësinë lidhur me aktakuzën e re, pjesë e së cilës janë tri akuza për tentim-pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
As ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk u shpreh i gatshëm të deklarohet mbi fajësinë mbi dy akuza.
Thaçi, i cili akuzohet edhe për krime lufte, hodhi aludime se të dyja aktakuzat iu ngritën nga Specialja, kur në Kosovë kishte zhvillime të rëndësishme politike.
“E dini para 4 vjetësh 2020, u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjidhesha president i vendit. Tash para 10 ditëve, nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë. Duhet të sqarojë edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike, e as s’kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër as për deputet e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike”, ka thënë Thaçi në gjykatore. “Ritheksoi se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës”.
Së fundmi, në rastin për krime lufte në të cilin janë duke u gjykuar Thaçi dhe të tjerët, mbrojtja ka ngritur shqetësimin për anshmërinë e trupit gjykues.
E të martën ish-presidenti përsëriti kërkesën të respektohet Kushtetuta e Kosovës.
“E nderuara gjyqtare, dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës e ligjeve të Kosovës, në këtë sallë. Mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës e normave të tjera ligjore nga palët në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë, paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë. Paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar. Prandaj shtoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë, e edhe në këtë sallë”, ka thënë Thaçi.
Pasi dy nga të akuzuarit nuk u deklaruan mbi fajësinë, me të cilën i ngarkon aktakuza e re, gjyqtarja Majorie Masselot tha se këtë mundësi e kanë deri më 7 janar.
“Meqë që të dy keni zgjedhur që të mos bëni vetëdeklarimin sot, ua kujtoj udhëzimet që i kam përcaktuar në urdhrin për caktimin e kësaj seance sot dhe ju ftoj që të bëni vetëdeklarimin në qoftë se do ta bëni në formë të shkruar deri me datën 7 janar 2025 në orën 12:00. Në qoftë se vendosni që të mos e përdorni këtë të drejtë, atëherë unë në emrin tuaj do t’ua bëj vetëdeklarimin si të pafajshëm, në përputhje me rregullën 95”, ka thënë gjyqtarja Masselot.
Në këtë seancë për ecurinë e çështjes, prokurori Joshua Hafetz tha se synon t’i thërrasë të paktën tre dëshmitarë për të dëshmuar në këtë rast.
Gjyqtarja Majorie Masselot e urdhëroi ZPS-në që t’ia japë mbrojtjes disa materiale, përfshirë përgjimin e bisedave të Hashim Thaçit me të pandehurit e tjerë, të zhvilluara në qendrën e paraburgimit.
Të akuzuar në këtë rast janë edhe ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu. Ata janë deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 9 dhjetor.