Vëllai i dy binjakëve që në luftë janë vrarë në Prizren është irrituar, pasi që i akuzuari për këtë krim, Millosh Pleskoviq, nuk e ka pranuar fajësinë. Reagimi është pasuar me shkëmbim të sharjeve dhe fyerjeve mes tij dhe të akuzuarit. Bazuar në aktakuzë, trupin e njërit prej binjakëve të vrarë forcat serbe e kanë gjymtuar
Tensionet kanë shpërthyer të premten në gjykatore gjatë seancës ndaj serbit të akuzuar për krime lufte, Millosh Pleskoviq, kur ai nuk e ka pranuar fajësinë. Veprimi ka irrituar vëllain e dy viktimave, dhe reagimi është pasuar me shkëmbim të sharjeve dhe të fyerjeve midis tij dhe të akuzuarit.
Pas tensioneve që janë krijuar, me urdhër të gjykatës, Perver Daçaj është detyruar që ta lërë sallën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku ka nisur procesi gjyqësor.
Prokurori Ilir Morina fillimisht e ka lexuar aktakuzën, me të cilën Pleskoviq ngarkohet me përgjegjësinë për vrasjen e dy vëllezërve binjakë, Binak dhe Reshat Daçaj, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“11 shtator 1998, në afërsi të Prizrenit, viktimat kanë shkuar në malin e tyre për të marrë dru për ngrohje dhe derisa ishin duke ecur kanë hasur në 7-8 persona të forcave serbe. Fillimisht i kanë kërkuar që të ndaleshin, pastaj i kanë fyer. Në atë moment i pandehuri ka shtënë me kallashnikov”, ka thënë prokurori Morina, gjatë leximit të aktakuzës.
Sipas aktakuzës, pas kryerjes së vrasjes, trupat e viktimave janë masakruar.
“Viktimat ishin të gjymtuar, njëri nga ta nuk e kishte kokën në trup”, ka thënë ai.
I akuzuari Pleskoviq nuk e ka pranuar fajësinë.
“Nuk e pranoj aktakuzën. Më vjen keq për viktimat. Duhet të përgjigjet ai që e ka kryer atë krim dhe jo unë”, ka thënë i akuzuari.
E pas seancës, Mihrije Daçaj, nëna e të dy viktimave, ka thënë se vrasësi është Pleskoviqi, i cili në kohën e luftës është njohur me nofkat “Qeli” dhe “Miki”.
“’Miki’ m’i ka mbytë djemtë. Dy djemtë m’i ka mbytë në mal. S’i ka pa nëna hiç, një javë ditë. As nuk na kanë lanë me i pa, në tokë me i shti. Nuk na kanë lënë, Miki edhe tjerët. Unë e njoh, ky është Miki. M’i ka mbytë dy djemtë nga 29 vjet. Tash po thotë jo, ky krejt i ka mbytë. Jon kanë kojshia me ta, kur janë ardhë, kur i kam pa krejt të grithur, krejt gjak, me gjithë babën e vet”, ka thënë ajo.
Edhe avokati i familjes Daçaj, Gent Gjini, ka thënë se mes vrasësve është edhe i akuzuari që është i përfshirë në kryerjen e krimeve gjenocidale.
“Është një rast pak tragjik, sepse kemi të bëjmë me një profil të një krimineli, i përfshirë direkt në kryerjen e krimeve gjenocidale në mënyrë makabre. Si në aktakuzë është i involvuar në prerjen e gjymtyrëve dhe mbytjen e fëmijëve të zonjës në fjalë. I njëjti u pa sot në seancë që kishte një arrogancë dhe fizionomia e tij tregon se është një kriminel”, ka thënë Gjini.
E brenda seancës mbrojtja e të akuzuarit Pleskoviq ka kërkuar nga gjykata ndryshimin e masës së sigurisë, porse kjo kërkesë është kundërshtuar nga ana e prokurorit Morina, sipas të cilit është një dëshmitar, siguria e të cilit cenohet po qe se Pleskoviqi mbrohet në liri.
“E vetmja mundësi bazë është mundësia e arratisjes. Siç e di Gjykata, kemi një dëshmitar anonim i cili ka frikë për jetën e vet dhe mbi bazën e kësaj nëse i pandehuri gjendet në liri mund t’ia rrezikojë jetën e tij”, ka thënë ai.
Ndaj të akuzuarit Pleskoviq ka edhe një rast tjetër penal. Ndërkaq, më 6 qershor është ngritur aktakuza për vrasjen në Prizren të dy vëllezërve Daçaj. Bazuar në aktakuzë, Pleskoviqi ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë.
Autor: Riad Latifi