LAJMET E MBRËMJES

Telekomi kërkon përjashtimin e gjyqtarit nga rasti me “Z-Mobile”

Kompania Telekom ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Dren Rogova nga kontesti gjyqësor me kompaninë “Dardafone”, e njohur si Z-Mobile. Këtë kërkesë përfaqësuesit e ndërmarrjes e parashtruan në seancë, pasi gjyqtari refuzoi të përjashtonte ekspertët financiarë që kanë përgatitur ekspertizën mbi detyrimet financiare të Telekomit ndaj “Dradafonit”

Përfaqësues ligjorë të Kompanisë Telekomi kanë kërkuar nga Gjykata Komerciale që ta përjashtojë gjyqtarin Dren Rogova nga rasti ku po trajtohet kontesti mes tyre e “Dardafonit”, i njohur si “Z-Mobile”. 

Kërkesa u bë pasi gjyqtari e refuzoi një kërkesë tjetër të parashtruar në seancën e së mërkurës për përjashtim të grupit të ekspertëve që kanë nxjerrë ekspertizë lidhur me obligimet financiare të Telekomit kundrejt “Dardafonit”. 

Ekspertët janë caktuar nga Gjykata për përllogaritje të borxhit që kompanitë mund t’ia kenë njëra-tjetrës. E sipas ekspertizës, Telekomi është i detyruar që t’ia paguajë mbi 5.7 milionë euro dëmshpërblim kompanisë “Z-Mobile”.

Përfaqësuesi ligjor i Telekomit, Durim Ahmetaj, ka listuar në seancë disa fakte të cilat sipas tij tregojnë për lidhjet e ekspertëve financiarë me bizneset e Devollëve, pjesë e së cilës është edhe “Z-mobile”. 

“Eksperti financiar Blerim Pushkolli është palë në një kontest në Telekomin e Kosovës, i njëjti gjithashtu është zëvendësdrejtor në një shoqatë, OJQ. Ndërlidhja këtu qëndron direkte me biznesin e kreditorit pasi që në të njëjtën shoqatë mban pozitën e anëtares së bordit zonja Shpresa Mustafa (e cila gjithashtu është eksperte) dhe nga uebfaqja e së njëjtës shoqatë ajo të deklaruar ka që punon në një kompani të grupit Devolli Corporation, pra si pjesë e menaxhmentit të Birra Peja, pjesë e të njëjtit grup të kompanive është edhe kreditori”, ka thënë ai.

Ndërlidhja e tyre, sipas Ahmetaj, e ka cenuar rëndë paanshmërinë e ekspertëve në këtë procedurë, prandaj ka kërkuar përjashtimin e tyre.

“Kërkojmë nga gjykata që me aktvendim të përjashtojë grupin e ekspertëve dhe t’i anulojë veprimet e marra nga ekspertët”, ka thënë ai.

E përfaqësuesit ligjorë të “Z-mobile” thanë se pretendimet e Telekomit nuk qëndrojnë dhe se ato po parashtrohen vetëm për zvarritje të procesit, për çka kërkuan të shqiptohet gjobë nga ana e Gjykatës për kompaninë publike.

“Është vazhdimësi e veprimeve të ndërmarra nga debitori për të prolonguar dhe me çdo kusht për të tentuar të ndikojë në vendimmarrjen si të ekspertëve ashtu edhe të gjykatës në forma të ndryshme”, ka thënë avokati Alban Makolli.

Gjyqtari dha një konstatim për këtë.

“Gjykata nuk ia fal besimin pretendimit të debitorit për konfliktin e interesit të zotit Pushkolli me kreditorin”, ka thënë gjyqtari Rogova.

Kjo nxiti reagimin e përfaqësuesve të Telekomit, të cilët duke iu drejtuar gjyqtarit, i thanë se “nuk guxon të bësh kështu”, “nuk ec kështu”. 

Gjyqtari kërkoi nga zyrtari i lartë financiar në Telekom, Feim Kelmendi, ta lirojë sallën por ai refuzoi. Kësisoj, gjyqtari kërkoi që të ketë një pushim, por para se të shkonin në pauzë, Telekomi parashtroi edhe kërkesën për përjashtim të gjyqtarit.

“Duke qenë se në këtë gjykim debitorit iu është shembur besimi në sistemin e drejtësisë përkatësisht nga ju si gjyqtar i çështjes, ne për këto dhe rrethanave të tjera, paraqesim kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit nga gjykimi”, u shpreh avokati i Telekomit.

Teksa gjyqtari dha sqarimin se nuk mund të vazhdohet më me seanca gjyqësore derisa kryetari i Gjykatës Komerciale të vendosë mbi këtë kërkesë për përjashtimin e tij, përfaqësuesit e Telekomit e lëshuan sallën. 

Për shkak të refuzimit të shlyerjes së obligimeve ndaj “Dardafonit”, prej afër tre muajsh përmbaruesi i ka bllokuar llogaritë bankare të Telekomit. 

Për vite me radhë, falë një kontrate me Telekomin, “Z-mobile” ishte operator virtual i telefonisë mobile.