Për Ditën e Kushtetutës, që shënohet më 9 prill, aktivistë nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut i dorëzuan 120 kopje të Kushtetutës, siç thanë, për t’ua rikujtuar deputetëve detyrën për mbrojtjen e respektimin e saj. E, Gjykata Kushtetuese hapi dyert për vizitorë për shënimin e 9 prillit
120 kopje të Kushtetutës, nga një për secilin deputet, i dorëzuan në Kuvend aktivistë të Iniciativës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR). Me këtë aksion ata i paraprinë shënimit të Ditës së Kushtetutës, që është më 9 prill.
Errnesa Syla, përfaqësuese e kësaj organizate, drejtoi kritika për ligjvënësit. Sipas saj, synimi i aksionit është t’u rikujtohet atyre që të angazhohen në respektimin dhe përmbushjen e të drejtave që i garanton akti juridik më i lartë i një vendi.
“Ne nuk mund të injorojmë realitetet tona të zymta me të cilat përballet shoqëria jonë. Diskriminimi, margjinalizimi dhe padrejtësitë sistematike vazhdojnë të jenë prevalente duke cenuar mirëqenien, dinjitetin dhe të drejtat e grupeve më të margjinalizuara në shoqëri”, ka thënë Syla.
Ajo ka thënë se Kushtetuta po injorohet e ndaj dhunës me bazë gjinore e të orientimit seksual po heshtet.
“Femicidi po vazhdon, dhuna në baza gjinore dhe seksuale po vazhdon, homofobia po vazhdon, padrejtësitë e panumërta janë përreth nesh dhe shteti ynë po hesht, institucionet tona bashkë me ata në krye po heshtin. Kushtetuta jonë po injorohet, përkundër faktit që qartë liston vlerat dhe të drejtat e secilit”, ka theksuar ajo.
Gjykata Kushtetuese, po ashtu, organizoi aktivitetin “Dita e gjykatës së hapur” për të shënuar 9 prillin. Ambientet nga ku merren vendimet ndër më të rëndësishmet u vizituan nga studentë të Fakultetit Juridik. Ata thanë se kjo vizitë i ndihmon drejt zhvillimit në fushën që kanë zgjedhur ta studiojnë.
“Kjo vizitë na ndihmon neve shumë si studentë që ta balancojmë mësimin praktik dhe teorik të Gjykatës Kushtetuese dhe duke qenë që kjo gjykatë është autoriteti më i lartë në vend për interpretimin e aktit më të lartë juridik, pra Kushtetutës”, ka thënë Mevlude Geci, studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Kolegia e saj Erona Sopa, ka thënë se vizita në Gjykatën Kushtetuese u ndihmon studentëve shumë meqë, sipas saj, në fakultet nuk kanë shumë qasje.
“Po ashtu na ndihmon që edhe në të ardhmen do të kemi shumë punë me ketë institucion, përfshirë ato që i kemi mësuar sot gjatë ligjëratës së gjyqtarit të Kushtetueses”, ka thënë Sopa, studente e Juridikut.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua në Kuvend më 9 prill 2008 e hyri në fuqi më 15 qershor të atij viti. Një pjesë e madhe e saj si bazë ka Pakon e Ahtisaarit.