Pas vrasjes së gruas në Pejë, presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur të mërkurën ditë zie në kujtim të të gjitha grave e vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore. Ajo ka thënë se fenomeni i vrasjes së grave duhet të ndalet me çdo kusht. E, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se është urgjente konsolidimi i mekanizmave të sigurisë e të gjyqësisë që rastet e tilla të mos ndodhin më
Ditë zie është shpallur e mërkura (sot) nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas vrasjes së një gruaje në Pejë, e që i dyshuar është bashkëshorti i saj.
Në motivacion, presidentja ka theksuar se dita e zisë shpallet për të gjitha vajzat e gratë e vrara si rezultat i dhunës në baza gjinore.
Kjo është vrasja e dytë e grave në pesë ditë. Të premten u vra një tjetër grua në Ferizaj, e i dyshuar është bashkëshorti i saj me të cilin ishte në proces të shkurorëzimit.
Presidentja Osmani ka kërkuar që të ndalet me çdo kusht fenomeni i vrasjes së grave e vajzave, që, sipas saj, po i plagos shoqërinë e shtetin. Ka thënë se mënyra e vetme për të ndalur këtë fenomen është rizgjimi i gjithë shoqërisë, si shtet e si komb.
“Fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid, i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe mënyra e vetme për të ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka thënë Vjosa Osmani.
Osmani gjatë ditës së martë ka mbajtur edhe një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha. Siç thuhet në komunikatën për media nga Presidenca, aty Osmani ka shprehur nevojën urgjente që të fuqizohen të gjitha hallkat brenda institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë detyrim kushtetues që ta mbrojnë jetën e qytetarëve.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se është urgjente konsolidimi i mekanizmave të sigurisë e të gjyqësisë që rastet e tilla të mos ndodhin më.
“Vërtet sot u zgjuam me një lajm të trishtueshëm. Vrasja edhe e një gruaje tjetër në qytetin e Pejës pas asaj që ndodhi këtë javë edhe në qytetin e Ferizajt, ku një grua u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Meqenëse shumica e rasteve që po ndodhin në Kosovë kundër grave dhe vajzave e dhuna e tmerrshme e ushtruar ndaj tyre është kryesisht prej personave të cilët edhe më herët kanë pasur raste penale, raste të shkeljeve të rënda, dhe sistemi i drejtësisë me shumë lehtësi i liron ata dhe pastaj kjo është parapërgatitje edhe për raste më të rënda, siç ishin rastet e dy vrasjeve këtë javë në Kosovë”, ka theksuar Glauk Konjufca.
I pyetur nëse duhet të thirret Këshilli i Sigurisë, Konjufca ka thënë se institucionet e sigurisë gjithmonë duhet të mblidhen edhe për raste të tilla.
“Është mendoj edhe kjo arsye, për faktin që vetëm këtë javë i patëm dy vrasje të grave, që është tronditëse dhe e trishtueshme kur ngrihesh në mëngjes dhe e dëgjon që sa ishim duke e trajtuar rastin e Ferizajt, po ndodh edhe i Pjesës. Do të thotë është vërtet e papranueshme që në shoqërinë tonë të ndodhin krime të tilla të cilat kryhen nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët edhe brenda institucioneve që janë për shërbime sociale e kështu me radhë”, është shprehur kryeparlamentari Konjufca.
“Nëse e shihni dosjen e tij, nëse e shihni se nëpër çka ka kaluar, nëpër cilat raste dhe me sa lehtësi i ka kaluar të gjitha hallkat e proceseve gjyqësore, edhe të drejtësisë, dhe pastaj iu ka dukur që është shumë kollaj edhe ta vrasë bashkëshorten, sepse nuk ka dënime, nuk ka ndëshkime nga ana e sistemit tonë të drejtësisë, kjo me të vërtet është për çdo kritikë dhe duhet të na vetëdijesojë si shoqëri për me hap na një kapitull tjetër institucional. Sidomos unë e kam hallin të Policia dhe drejtësia”.
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së martë ka mbledhur në takim grupin ndërministror dhe po ashtu përfaqësuesit e sistemit prokurorial e gjyqësor për të diskutuar lidhur me vrasjen në Pejë. Në një konferencë për media ajo ka deklaruar se fenomeni i dhunës në familje është shqetësues dhe rëndues për shoqërinë.
“Është alarmante që individë të shumtë shohin dhunën për tejkalimin e problemeve, që shpesh po përfundojnë me vrasjen e grave nga burrat e tyre, apo ish-partnerët. Me plot bindje e them që ky fenomen është armik i brendshëm me rrezik të madh. Këto sjellje barbare shkatërrojnë edhe jetën e familjeve të tyre, dhe të shoqërisë në tërësi. Nga viti 1999 që prej atëherë e deri më sot Kosova shënon 99 gra të vrara nga burrat apo partnerët e tyre, si vrasje që buruan nga dhuna në familje”, ka thënë Haxhiu. “Mbi 200 raportime në baza mujore raportohen në Policinë e Kosovës të dhunës së burrave ndaj grave. Fatkeqësisht është tejet serioze, fakti i gjuhës së urrejtjes nga qytetarët në rrjete sociale, e dënoj ashpër. Fakt që na bën të mendojmë se ajo trajtohet si çështje e normalizuar. Njësoj kishim gjuhë të urrejtjes edhe para katër ditëve, e edhe sot, duke pasur paragjykim të viktimave. Bëj thirrje, edhe pse mund të kritikohem, që me kujdes të veçantë të monitorohet kjo gjuhë që po përdoret në rrjete sociale, është nxitëse”.
Haxhiu ka theksuar se ndaj këtyre fenomeneve nuk mund të jenë spektaktorë.
“Ndaj me urgjencë duhet të veprojmë për të promovuar tolerancë e respekt. Institucionet e drejtësisë të veprojnë duke mos neglizhuar as edhe një rast të vetëm të dhunës në familje, sepse kur po kemi raste të mosveprimeve ku shteti vetë dhunuesin po e shndërron në vrasës. Këto statistike tregojnë për një gjendje të rënduar të vetëdijes së këtyre personave, që nuk njohin zgjidhje tjetër, përveç dhunës. Këto veprime janë të patolerueshme”, ka thënë ajo.
E, Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka mbajtur një protestë afër vendit ku është mbajtur Forumi i Gruas, Paqes dhe Sigurisë. Liridona Sijarina ka thënë se kanë tentuar që të hyjnë brenda ku po mbahej ky forum për të kërkuar nga presidentja që të thërrasë Këshillin shtetëror të Sigurisë, porse, sipas saj, nuk janë lejuar.
“Bëjmë thirrje edhe një herë që shteti me shpallë gjendje emergjente. Dje protestuam për vrasjen e grave dhe sot u çuam me një lajm që edhe një grua u vra ne Pejë midis sheshit. Kështu që kjo është gjendje që duhet me na alarmua jo vetëm neve si shoqëri civile, por edhe shtetin. Edhe me këtë rast kërkojmë reagim edhe veprim të menjëhershëm. Çdo vonesë nga shteti është duke i vrarë vajzat dhe gratë”, ka thënë Sijarina.
Reagime lidhur me vrasjen në Pejë ka pasur edhe nga zyrtarë të partive politike, shoqëria civile dhe nga misione ndërkombëtare në Kosovë.