Një muaj paraburgim iu caktua të dyshuarit Marko Daniq, për pjesëmarrje në sulmin ndaj KFOR-it gjatë protestave të vitit të shkuar në Zveçan. Këtë masë, Gjykata Themelore në Prishtinë ia shqiptoi, pasi vlerësoi se ka rrezik që ai të arratiset meqë ka shtetësi të Serbisë. E kundër vendimit, mbrojtja paralajmëroi ankesë brenda afateve ligjore
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar të shtunën 30 ditë paraburgim Marko Daniqit, i dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në protestën e majit të shkuar para objektit të komunës në Zveçan.
Në seancën e caktimit të kësaj mase, gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për paraburgim, pasi i pandehuri ka nënshtetësi të Serbisë dhe mund të arratiset e t’i përsërisë veprat për të cilat ngarkohet, po qe se lihet të mbrohet në liri.
“Ekziston frika e bazuar se po qe se i pandehuri Marko Daniq, po të mbrohet në liri mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale para se cilës ndodhet, duke qenë se deri në momentin e arrestimit ka qenë ne arrati dhe se i njëjti po ashtu ka nënshtetësi te shtetit të Serbisë, dhe në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë. Ekziston rreziku i përsëritjes se veprave penale, duke marrë për bazë peshën e veprave penale”, ka bërë të ditur Gjykata.
Në kërkesën e Prokurorisë, të siguruar nga KOHA, thuhet se Daniqi bashkë me një grup tjetër, ushtruan dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe dëmtuan automjete të Policisë dhe të gazetarëve.
“I pandehuri, duke vepruar në grup, kishte ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, ku tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit dhe mjetet e rrezikshme nga të cilët edhe kanë humbur këmbët, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj ditë, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe”, thuhet në arsyetimin e kërkesës së prokurorisë, për t’ia caktuar Daniqit masën e paraburgimit.
Avokatët e të akuzuarit i kualifikuan dëshmitë e Prokurorisë të pabazuara, tek paralajmëruan se do të paraqesin ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.
“Dëshmitë e Prokurorisë janë të pabazuara dhe të pamjaftueshme. Nuk mundet që vetëm pjesëmarrja e klientit tim në protestën në Zveçan, për shkak të mospajtimit politik, të kualifikohet si sulm ndaj rendit kushtetues. Mbrojtja, në ndërkohë, do të paraqesë ankesë për këtë vendim”, ka thënë avokati Nebojsha Dançetoviq.
Edhe avokati tjetër, Bogdan Laziq, ka kontestuar masën.
“Ekzistojnë disa fotografi të paqarta, që sot shumë lehtë mund të manipulohen që është ky, ai. Dhe shenjë dalluese është veç identifikimi i njëfarë xhemperi. Ndaj kësaj mase ne do të paraqesim ankesë, pas dorëzimit të vendimit në gjuhën serbe”, ka thënë ai.
Dhuna në Zveçan pati shpërthyer pasi serbë lokalë kundërshtuan me protestë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Si pasojë e dhunës që pasoi, të plagosur mbetën 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve rëndë.
Në KFOR më herët kanë thënë se sulmi ndaj ushtarëve të tij është kryer pa asnjë provokim dhe se ka qenë “plotësisht i papranueshëm”.
Për ngjarjen në Zveçan, Kosova e fajësoi Serbinë, duke thënë se trazirat u kryen nga grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.