Hedhjen poshtë të aktakuzës e kanë kërkuar të akuzuarit për keqpërdor të 53 milionë eurove në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Në seancën e mbajtur të premten, avokatët e të akuzuarave kanë ofruar argumentet e tyre kundërshtuese, ndërsa që prokurori i rastit ka insistuar në arsyeshmërinë e aktakuzës.
Avokati Musa Damati, i cili përfaqëson ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se në aktakuzë nuk tregohet se ku kanë përfunduar 53 milionë eurot.
“Akti akuzues i atakuar përmes kundërshtimeve të mbrojtjes, nuk ka arritur që ta zgjidh misterin e asaj se ku kanë mbetur ose ku kanë përfunduar, ku ka përfunduar 53-milionëshi i famshëm”, ka thënë ai.
E Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ka thënë se sikur të mos nënshkruhej kontrata me “Bechtel Enka” zgjatje të afatit të punimeve, Kosova do të shkonte në arbitrazh.
“Nënshkrimi për zgjatjen e afati ka qenë veprim ligjor dhe i domosdoshëm, pasi në të kundërtën, sipas kontratës me automatizëm çështja do të procedohej në arbitrazh, dhe dëmet do t’i vlerësonte një ekspert i pavarur se çfarë dëmi do t’i shkaktohej Kosovës sikur të ishin ndërprerë punimet”, është shprehur ai.
Ndërsa, i akuzuari Eset Berisha i cili ishte këshilltar politik i ministrit Pal Lekaj, ka thënë se nuk ka mundësi të jetë i përfshirë në diçka të tillë.
“Është tërësisht e pakuptimtë, është joreale të besohet se një këshilltar politik ka aftësi të tilla të vërë në lajthitje një komitet drejtues ndërministror prej 5 anëtarëve, një qeveri me kryeministrin dhe 5 zv.kryeministra e 21 ministra”, ka deklaruar ai.
Urim Vokshi, avokati mbrojtës i ish-drejtorit të Prokurorimit, Besim Tahiri, ka deklaruar se hetimet për klientin e tij janë ndërmarrë pas kalimit të afatit të hetimeve.
“Ky aktvendim për vlerësimin e mbrojtjes, është nxjerrë pas kalimit të afatit 2 vjeçar, për hetime dhe si i tillë aktakuza ndaj Besim Tahirit, duhet të hedhet”, u shpreh ai.
Ndaj kundërshtimeve të të akuzuarve ka reaguar prokurori special, Atdhe Dema. Ai ka thënë se asnjëri prej tyre nuk i mohoi akuzat.
“Në të shumtën e rasteve, as nga avokatët mbrojtës, as nga të akuzuarit nuk u mohuan veprimet e tyre, që janë përshkruar në aktakuzë, porse u arsyetua me humbje të cilat do të mund t’i pësonte shteti, se ne i dimë paraprakisht se profetë jemi, se çka mund të pësojë shteti, sikur të mos kishin vepruar ashtu sikur është në aktakuzë”, ka thënë Demi.
Prokurori special shtoi se çështja kryesore është dëmtimi i buxhetit në shumën edhe që ngarkohen se e kanë kryer në mënyrë joligjore të akuzuarit. Ai tha se qëllimi i avokatëve është krijimi i spektakleve, sepse sipas tij aktakuza i ka të gjitha elementet.
Gjyqtarja Violeta Namani ka theksuar se për kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave do të vendosë jashtë seancës.
Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53 milionë eurove të paguara shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka”, janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekaj, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
kryesor i aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mbështetet në opinionin e kompanisë “Hill” , e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për të mbikëqyrë projektin, sipas së cilës, për punët shtesë është dashur të paguhen 14 milionë euro, e të cilin opinion dyshohet se Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit nuk e ka prezantuar para Komitetit Ndërministror, duke i hapur rrugë pazarit prej 53 milionë eurove.
Ramush Haradinaj, që ishte kryeministër në kohën e ndarjes së këtyre mjeteve, në një interpelancë të mbajtur në Kuvend, në korrik të 2018-s ka thënë se pagesa prej 53 milionë eurove ka qenë e domosdoshme. Haradinaj ka akuzuar qeverinë paraprake të drejtuar nga Isa Mustafa, që ka dështuar të paguajë detyrimet ndaj “Bechtel-Enkas”.
“Pse LDK-ja nuk e ka përmbyllur atë borxh. Pse nuk e ka dhënë një nënshkrim dhe ta paguajë atë borxh prej 14.7 milionë eurosh. Këtë borxh Kosovës, këtë minë të pashpërthyer në tavolinën e Qeverisë Haradinaj e ka krijuar Qeveria e LDK-së, ish-kryeministri Mustafa, ish-ministrat Lutfi Zharku e Avdullah Hoti", ka thënë në korrik të vitit 2018, Haradinaj.
E ishin pikërisht deputetët e dy partive opozitare të asaj kohe, LDK-së e të Vetëvendosjes që e kanë cilësuar pagesën prej 53 milionëve, si të paligjshme dhe të dëmshme.
"Kërkesa e 'Bechtel & Enkas' për koston shtesë prej 53.1 milionë eurove konsiderohet si e pabazë. Natyrisht, ata e dinë se përmes keqpërdorimit të së drejtës nuk do të mund të fitonin në asnjë arbitrazh, prandaj kanë bërë marrëveshje direkte me Qeverinë dhe ministrin Pal Lekaj, duke anashkaluar menaxherin e kontratës “Hill Internacional”. Prandaj, e vetmja zgjidhje ju mbetet që ta shkarkoni ministrin Lekaj dhe gjithë kabinetin e tij për shkelje të ligjit, ta anuloni vendimin e Qeverisë për miratimin e kostos shtesë prej 53,1 milionë eurosh dhe zbatoni aneks kontratën tanimë të rekomanduar nga menaxheri i kontratës “Hill interncationl” në shumën prej 14.78 milionë eurosh", ka theksuar në Kuvend, Lufti Zharku.
Autostrada Prishtinë-Han i Elezit ka nisur më 2014 dhe ishte planifikuar të përfundonte më 2018 me koston prej 600 milionë eurove. Ajo është lëshuar në qarkullim në maj të vitit 2019. Edhe kostoja e saj, në ndërkohë ka pësuar rritje të madhe. Sipas ish-ministrit Lutfi Zharku, për ndërtimin e saj janë shpenzuar afro 800 milionë euro.