Në ditën e dytë së dëshmisë në rastin më të madh të Speciales, ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, tha se asnjëherë nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i përgjithshëm. Tek iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes, ai e mohoi përsëri një dokument të UNMIK-ut, në të cilin thuhet se Tara ka deklaruar që UÇK-ja i vriste bashkëpunëtorët e Serbisë
Në ditën e dytë të dëshmisë para Dhomave të Specializuara, ish-komandant i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, ka thënë se gjatë kohës së luftës nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.
Një ditë më parë, ai refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, e të martën përgjigje u dha atyre të avokatëve të të akuzuarve.
“A është e vërtetë që asnjëherë nuk të kanë dhënë urdhra nga lart, domethënë nga zona, nga Shtabi i Përgjithshëm, që të arrestoje kolaboracionistë e t’i vrisje? E saktë?”, është pyetja që ia ka shtruar atij, Rodney Dixon, avokat i Kadri Veselit.
“Kurrë, asnjëherë”, është përgjigjur dëshmitari Tara.
Ai e mohoi vërtetësinë e dokumentit të UNMIK-ut, në të cilin theksohet se Tara ka dëshmuar që UÇK-ja i ka vrarë bashkëpunëtorët e Serbisë.
“Në këtë dokumentin e UNMIK-ut pretendohet që ti ke thënë që UÇK-ja ka vrarë të gjithë të burgosurit, s’është e vërtetë apo jo?”, ka pyetur avokati Dixon.
“Ky dokument nuk është i imi e unë po them që nuk dëshiroj fare, tash nuk e di, po m’lodh, kurrë nuk e kam... Atëherë duhet të m’i sillni përfaqësuesit e UNMIK-ut të dëshmojnë që unë e kam dhënë këtë dëshmi, atëherë duhet ta vërtetosh edhe të njëjtën që ma kanë bërë edhe ish-intervistuesit e mi që përshkruajnë diçka në mendje të vet. Unë po të tregoj që kurrë as s’e kam thënë e as s’ka ndodhur. As takim se le që kam thënë, nuk jam takuar kurrë që ta japë këtë dëshmi”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka theksuar se paraqitja e tij e parë në Hagë është bërë më 14 shkurt 2025, por në seancën përgatitore të 19 shkurtit e kishte parë për herë të parë dokumentin e që si reagim ndaj tij kishte qarë, bërtitur dhe i kishte quajtur kriminelë intervistuesit e tij me 2019.
“Me datën 19.02.2025 të mërkurën e kemi vazhduar prapë deri diku në mesditë pa problem, deri afër orës 12:OO në mesdite, kur prokurorja ime ma paraqiti një dokument të vitit 2019 të intervistimit tim nga ekipi im intervistues i atëhershëm. Kur fillova ta lexoj më kaploi dridhje e trupit dhe frikë se çka lexoja e mendoja të bërtas ‘çfarë janë këta njerëz, çfarë na përgatitën neve, kush janë këta kriminelë’, deri sa më qetësoi prokurorja e më tha se këto janë fjalë të tyre, e jo të tuat dhe këtu nuk mund të lexoja kur pashë se dokumenti ishte nënshkruar nga ekipi i intervistuesve të mi e s’munda të lexoja më, e leximin e fletës tjetër në shqip e beri përkthyesja ime”, ka thënë Tara.
Ai ka theksuar se përkthyesen e dëgjoi duke qarë dhe ndryshoi mendim për intervistuesit e tij, gjyqtarët e prokurorët duke menduar se janë armiq të tij, UÇK-së dhe popullit të Kosovës.
“Unë duke qarë dhe dëgjoja, e ndryshova komplet mendimin tim për intervistuesit e mi, gjykatës e prokurorë se janë armiqtë e mi, të UÇK-së, pavarësisë së Kosovës dhe popullit tim. Pastaj, një kohë të gjatë i kërkova sqarime prokurores duke kërkuar e sharë intervistuesit e mi, si kanë guxuar të më rrezikojnë mua, familjen time, të më bëjnë tradhtarë të luftës time, të heronjve e dëshmorëve të kombit e UÇK-së dhe të martirëve të vrarë dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së”, ka thënë ky dëshmitar.
Gjatë dëshmisë, Tara, i njohur si komandant “Hoxha”, tha të mos jetë në dijeni për zhdukjen e pesë serbëve në Rahovec. I pyetur lidhur me zhdukjen e Boban Dediqit, ai tha se është informuar që ai ka dalë nga lagjja serbe në qytet dhe se nuk është rrëmbyer.