LAJMET E MBRËMJES

Tahiri: Nëse edhe dy ditë nuk arrijmë dakordim, vendi do t’iu nënshtrohet zgjedhjeve të rregullta

Partia Demokratike e Kosovës edhe një here u ka bërë thirrje partive të tjera opozitare për dakordim lidhur me shpërndarjen e Kuvendit. Shefi i deputeteve të kësaj partie ka thënë se nëse edhe dy ditë nuk arrihet pajtueshmëria, atëherë vendi do t’iu nënshtrohet zgjedhjeve të rregullta. E partia në pushtet ka thënë se është e gatshme për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, por ka kërkuar pajtueshmëri nga opozita.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se për shkak të rinovimeve në sallën e seancave plenare, që lidhen me aparaturën e re, nuk do të mbahen seanca gjatë kësaj jave dhe as gjatë javës së ardhshme. 
Pas mbledhjes së Kryesisë  sërish u fol për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, por assesi nuk po arrihet pajtim për mënyrën. 

Në partinë në pushtet kanë ritheksuar se janë të gatshëm për votimin e  shpërndarjen e Kuvendit, por thanë se për këtë nuk ka pajtim nga partitë opozitare. 

“Data e zgjedhjeve është proces që përfshin të gjitha partitë. Nëse opozita ka pajtueshmëri jemi të gatshëm për ta diskutuar. Ka qenë në rrafshin e pritjeve të saj për seancë të enjten, nuk ka pasur kërkesë që të renditet si pikë shpërndarja e Kuvendit, por nëse opozita dakordohet për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje, grupi parlamentar është i gatshëm”, ka deklaruar deputeti i Vetëvenbdosjes Adnan Rrustemi.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se nëse edhe dy ditë nuk ka pajtueshmëri për shpërndarje të Kuvendit, atëherë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. 

“Ne nuk jemi këtu as për të blerë kohë, as për të shitur kohë. Ajo që është e rëndësishme është se ajo dritarja kushtetuese vetëm po mbyllet. I kemi edhe dy ditë. Pra është dita e martë dhe e mërkurë. Në rast se edhe këto dy ditë nuk kemi dakordim që më së largu ditën e enjte, më 30 maj të shpërndahet Kuvendi, atëherë normalisht që ky opsion tashmë bie dhe Qeveria do ta përfundojë mandatin dhe po ashtu Kuvendi do ta përfundojë mandatin e vet kushtetues të rregullt dhe zgjedhjet do t’i kemi në mes të 20 janarit dhe 20 shkurtit të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Tahiri.

Por me këtë ide nuk po pajtohen LDK-ja dhe AAK-ja të cilat po insistojnë në dorëheqjen e ekzekutivit. 

“Dy javë, deri më 12 qershor nuk ka seancë. Kjo u diskutua. Se si ka ardhur deri te kjo datë është pak e çuditshme, mirëpo po thonë që është një projekt ndërkombëtar i Luksenburgut që duhet ta kryejë punën. T’ju them të drejtën po e mirëkuptoj meqë mirë është të jetë e rinovuar salla për 12 qershor...Në qoftë se pro shpërndarjes është Lëivzja Vetëvendosje dhe koalicioni që ata e udhëheqin dhe PDK-ja, ata i kanë votat. 83 vota. E qoftë se nuk e kanë bekimin e tyre politik dhe partiak, ajo është çështje që unë nuk e di”, ka deklaruar Besnik Tahiri, shef i Grupi Parlamentar të AAK-së. 

Ndërsa Arben Gashi i LDK-së ka theksuar se Kurti duhet të dorëhiqet më së largti më 15 gusht. 

“Sepse më 15 gusht është data kur presidentja e Republikës së Kosovës duhet të fillojë konsultimet për shpalljen e datës së zgjedhjeve të rregullta. Pra data e zgjedhjeve të rregullta pritet të jetë mes gjysmës së janarit dhe gjysmës së shkurtit të vitit 2025”.

Për më tepër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar edhe PDK-në për përafrim me Vetëvendosjen në prag të zgjedhjeve.