LAJMET E MBRËMJES

Sylejman Selimi i pafajshëm në akuzën për keqtrajtim të një personi

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar nga akuza për krime lufte ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimi, dhe ish-luftëtarin Jahir Demaku. Ata janë dënuar dhe kanë vuajtur burgimin paraprakisht për krime lufte, derisa të enjten janë liruar nga akuza për keqtrajtim të një personi në Likoc të Skenderajt më 1998

Ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, dhe ish-luftëtari Jahir Demaku janë liruar të enjten nga akuza për krime lufte në Gjykatën Themelore në Prishtinë. 

Trupi gjykues në rigjykim të rastit “Drenica 1”, i kryesuar nga Ngadhnjim Arrni, ka konstatuar se nuk ka prova se Selimi dhe Demaku kanë keqtrajtuar një person nga Shipoli i Mitrovicës në Likoc të Skenderajt, në periudhën gusht-shtator 1998.

“Trupi gjykues pas vlerësimit të këtyre deklaratave ka nxjerrë konkludimin se fillimisht nuk është arritur të vërtetohet se cilit person ja kanë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin tani të akuzuarit për faktin se nuk është arritur të identifikohet e as nuk është arritur të identifikohen dëshmitarë të tjerë potencialë prej të cilëve do të mbështetej dëshmia e dëshmitarit A. Kjo gjykatë vë theks të vecantë në faktin se dëshmia e një dëshmitari si e vetme pa mbështetje në asnjë provë tjetër ka qenë e mangët në rastin në rastin konkret për ta arritur standardin e të provuarit në rastet e krimeve të luftës”, thuhet në konstatimin e trupit gjykues.

Mbrojtësi i Sylejman Selimit, avokati Artan Qerkini, ka thënë se vendimi ishte i pritshëm, meqë ishte i bazuar vetëm në dëshminë e dëshmitarit “A”, e që, sipas tij, ka dhënë dëshmi kontradiktore.
“Deklarimet e dëshmitarit A në lidhje me këtë pikë të aktakuzës kanë qenë jashtëzakonisht kundërthënëse dhe nuk kanë pasur mbështetje në prova të tjera, andaj si të tilla nuk e kanë plotësuar standardin e kërkuar nga gjykata  në mënyrë që një person të mund të shpallet fajtor. Të mos harrojmë se edhe gjykata e shkallës së parë e EULEX-it kishte vendosur njëjtë, mirëpo gjykata e shkallës së dytë e kishte ndryshuar vendimin dhe pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë rasti ishte kthyer në rivendosje dhe natyrisht që jemi të kënaqur me këtë vendim”, ka thënë Qerkini.
Selimi dhe Demaku janë dënuar paraprakisht për krime lufte. Por rasti për të cilin u gjykuan së fundi u kthye në rigjykim, si pikë e vetme e aktakuzës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2015 e dënoi me tetë vjet burgim Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc. Me aktgjykimin e kësaj gjykate u dënuan edhe Jahir Demaku e Zeqir Demaku e Isni Thaçi me nga shtatë vjet burgim, ndërsa me tre vjet burgim u dënuan Nexhat Demaku, Agim Selmani, Driton e Bashkim Demaj dhe Fadil Demaku. 

Apeli më 2016 ia zbuti dënimin Sylejman Selimit për një vit. E, pas ankesave të mbrojtjes në Supreme, kjo gjykatë e ktheu rastin në rigjykim vetëm për pikën 6 të aktakuzës, për të cilën Selimi dhe Demalku u liruan të enjten.