LAJMET E MBRËMJES

Supremja në Hagë e mban në fuqi dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën

Supremja e Dhomave të Specializuara e ka mbajtur në fuqi dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën. Vendimi u mor pasi paneli i kryesuar nga kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, e refuzoi kërkesën e tij për zbutjen e dënimit dhe vlerësoi se vendimi i Panelit të Apelit është brenda kufirit të dënimit

Paneli i Gjykatës Supreme e Dhomave të Specializuara ka vendosur që ta mbajë në fuqi dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën, që i është shqiptuar nga Specialja për krime lufte.

Vendimi u mor pasi trupi gjykues, i kryesuar nga kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova dhe i përbërë nga gjykatësit Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, e refuzoi kërkesën e Mustafës për zbutje të dënimit.

Në vendim thuhet se Mustafa nuk identifikoi përse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. 

“Paneli vë re se dënimi prej 15 vjetësh, i shqiptuar nga Paneli i Apelit për vrasje si krim lufte, është brenda kufirit të dënimit prej pesë deri në 25 vjet, i përcaktuar nga Paneli i Gjykatës Supreme në përputhje me Nenin 44 (2)(a) të Ligjit (për Dhomat e Specializuara v.j)”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar u ankua se një pjesë e vendimit nuk është arsyetuar mirë, por këtë e kundërshtoi mbrojtja. E Supremja e Speciales konstatoi se Apeli i ka përfillur udhëzimet e gjykatës së shkallës më të lartë, si dhe e ka arsyetuar mirë vendimin e saj. 

“Paneli vëren se ZPS-ja pretendoi se Paneli i Apelit ka bërë shkelje substancionale të procedurës, duke dështuar ta arsyetojë vendimin e tij. Paneli rikujton se Paneli i Apelit u udhëzua prej Panelit të Gjykatës Supreme ta rishqyrtojë dënimin për z. Mustafa në përputhje me udhëzimet e dhëna prej Panelit. ZPS-ja nuk dëshmon se në ç’mënyrë Paneli i Apelit ka dështuar t’i ndjekë udhëzimet e vendimit të Gjykatës Supreme dhe vlerëson se Gjykata e Apelit e ka arsyetuar mirëfilli vendimin dhe u është referuar udhëzimeve në këtë kuptim”. 

Themelorja e Speciales, në dhjetor të 2022-tës e pati dënuar Mustafën me 26 vjet burgim për krime lufte. Apeli ia uli dënimin nga 26 në 22 vjet dhe e shpalli përsëri fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe një vrasje të paligjshme.

Dënimin Mustafa e apeloi edhe në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara. Supremja e pati anuluar vendimin prej 22 vjetëve burgim dhe e ktheu rastin në rivendosje. E më 10 shtator të vitit të shkuar, Apeli në rivendosje e caktoi dënimin prej 15 vjetëve burgim.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të 2020-ës, nën akuza për krime të luftës.