LAJMET E MBRËMJES

Supremja kthen në rivendosje shkallën e dënimit për Salih Mustafën

Gjykata Supreme në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë e ka aprovuar pjesërisht kërkesën për shqyrtim të ligjshmërisë së mbrojtjes së Salih Mustafës. Tani Apeli duhet të vendosë sërish për dënimin e Mustafës, derisa Supremja ka dhënë si referenca edhe disa aktgjykime të Tribunalit ndërkombëtar penal për ish-Jugosllavi

Trupi gjykues i Supremes i kryesuar prej kryetares Ekaterina Trendafilova ka marrë vendim që ta anulojë dënimin prej 22 vjetësh burgim për Salih Mustafën, të dënuarit të parë të Gjykatës Speciale në Hagë, në të tria shkallët. 

Salih Mustafa në shkallë të parë është dënuar me 26 vjet burgim, por në shkallë të dytë i është ulur dënimi për katër vjet. 

Supremja ka konstatuar se në vendimin për 22 vjet burgim, maksimumi dhe minimumi i dënimit që ka shqyrtuar Apeli nuk është saktësuar fare. Sipas Supremes, shkalla e dënimit në këtë rast duhet të shkojë prej 5 deri në 25 vjet burgim.

“111. Në vlerësimin e dënimit të z. Mustafa, paneli i Apelit duhet të udhëhiqet prej: 1) Rregullit 163, 2) Shkallës së dënimit prej 5 deri në 25 vjet burgim, që është identifikuar nga ky panel për rastin Mustafa dhe 3) Faktorët e dënimit të identifikuar prej panelit të Apelit, 4) Praktika gjyqësore e analizuar nga paneli i Apelit dhe nga ky panel 5) Rrethanat specifike të çështjes së z. Mustafa”, thuhet në vendim. 

Në aktgjykimin e Apelit, Supremja i ka gjetur tri shkelje që kanë të bëjnë kryesisht me bazën ligjore që është marrë parasysh për dënimin e Mustafës.

“108. Paneli konstaton se Paneli i Apelit ka shkelur ligjin penal duke dështuar: 1) të identifikojë ligjin relevant të Kosovës në përputhje me nenin 44 (2) (b) të ligjit dhe siç kërkohet në bazë të parimit të lex mitior (v.j zbatimit ligjit më të favorshëm për të akuzuarin), 2) Të identifikojë shkallën e zbatueshme të dënimit dhe 3) Ta arsyetojë në mënyrë të duhur se si ka arritur te ulja e dënimit të z. Mustafa për katër vjet”, thuhet tutje në vendim.  

Sipas të Supremes, trupit gjykues të Apelit duhet t’i jepet një mundësi e dytë për ta shqyrtuar se a është apo jo dënimi me burgim prej 22 vjetësh i arsyeshëm në këndvështrimin e shkallës së identifikuar të dënimit dhe praktikës gjyqësore.

E eksperti i Fondit për të Drejtën Humanitare dhe avokati Amer Alija, ka vlerësuar se vendimi shkon në drejtim të duhur të përcaktimit të politikës ndëshkimore të Gjykatës Speciales. Sipas tij, vendimi i mëtejshëm, nëse është në favor të mbrojtjes, do të vlejë edhe për raste të tjera. 

“Përmes kësaj praktike mund të vendoset kulmi i dënimit apo aplikimi i ligjit të favorshëm. Mendoj që është mirë që shkalla e tretë e ka kthyer në rivlerësim në shkallën e dytë, për arsye se që nga përfundimi i luftës në Kosovë të gjitha proceset gjyqësore që janë zhvilluar nga misionet ndërkombëtare; politika ndëshkimore ka qenë deri në 15 vjet, prej 5 deri në 15 vjet dhe ligji më i favorshëm dhe i aplikueshëm është konsideruar ligji jugosllav... Kanë mbetur vetëm këto dënimet pesë deri në 15 vjet apo për veprat më të rënda ku është i parashikuar dënimi me vdekje mund të aplikohet edhe dënimi prej 20 vjetëve burgim”, ka thënë Alija. 

Sipas tij, pas disa muajsh do të merret vendimi i ardhshëm i Apelit, i cili pritet t’i ndikojë edhe rastet e tjera ku shqiptohen dënime, meqë do ta përcaktojë dënimin maksimal dhe minimal në Speciale. 
Në vendimin e Supremes, ndër të tjera, janë përmendur edhe pesë raste të gjykuara nga Tribunali ndërkombëtar penal për ish-Jugosllavi, ku dënimet për krime të ngjashme, për çka u dënua Mustafa, janë mes 12 e 15 vjet burgim. 

Aty përmendet dënimi i Johan Tarçullovskit të Maqedonisë me 12 vjet për planifikim, urdhërdhënie, shtytje në vrasjen e tre personave, shkatërrimit të pronave të 12 shqiptarëve dhe trajtimin mizor të 23 personave. 

Përmendet edhe dënimi i Dragan Zelenoviqit të Bosnjës me 15 vjet për torturë e dhunim si krim kundër njerëzimit, pastaj rasti i Ivica Rajiqit të Kroacisë me 12 vjet burgim për vrasje, trajtim mizor, plaçkitje e shkatërrim në shkallë të gjerë, i Haradin Balës nga Kosova, i dënuar me 13 vjet, me pretendimin se ka vrarë nëntë persona, si dhe i Mitar Vasiljeviqit të Bosnjës, i dënuar me 15 vjet për burgosje dhe pjesëmarrje e ndihmë në kryerje të krimeve të luftës, si përndjekja dhe vrasja e akte të tjera çnjerëzore ndaj pesë burrave.

Në bazë të vendimit të Apelit, i shpallur më 23 dhjetor, Salih Mustafa, ish-komandant njësie në kuadër të Zonës Operative të Llapit është dënuar për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, torturë dhe një vrasje të paligjshme në fshatin Zllash, në prill të vitit 1999.