LAJMET E MBRËMJES

Stuhia shkakton dëme në Komunën e Prishtinës dhe të Skenderajt

Dëme materiale janë shkaktuar, si pasojë e stuhisë që ka përfshirë disa qytete të vendit gjatë ditës. Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se disa vetura janë dëmtuar si pasojë e rënies së çatisë. Për dëmet ka njoftuar edhe Komuna e Skenderajt. Nga stuhitë dy persona kanë vdekur në Malin e Zi, e dëme janë shkaktuar edhe në Serbi e Bosnjë

Ende pa u bërë një javë nga stuhia që shkaktoi dëme të shumta në Komunën e Dragashit, disa qytete të Kosovës janë goditur sërish nga erërat e forta. 

Tri vetura janë dëmtuar në lagjen “Pejton” të kryeqytetit, pasi një pjesë e çatisë së ndërtesave përreth ka rënë mbi to. 

Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, i ka thënë KOHËS se autoritetet kanë intervenuar në tri raste në kryeqytet. 

“Kemi pasur një rast në lagjen ‘Pejton’, ku një pjesë e kulmit ka rënë nga ndërtesa dhe ka dëmtuar tri vetura të cilat kanë qenë në parking. Për fat të mirë nuk kemi pasur dëme në njerëz. Është intervenuar, është larguar kulmi dhe është bërë vlerësimi i dëmit bashkërisht me policinë, dhe dy rastet e tjera, një ka qenë në ‘Dardani’ ku është thyer xhami i madh i një lokali, ndërsa një rast në ‘Bregun e Diellit’”, ka thënë Fushtica.

E në lagjen “Pejton” vërehet dëme në fasadën e jashtme të ndërtesave, e për të cilat drejtori Fushtica ka thënë se është intervenuar disa herë, por se shpesh po hasin në telashe, pasi banorët nuk po i lejojnë të bëjnë incizimin dhe vlerësimin e gjendjes. 

Dëmtim të veturave ka pasur edhe në Komunën e Skenderajt, pasi fasada e jashtme e një objekti ka rënë në tokë. 

“Erërat e forta me shi të rrëmbyeshëm gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme materiale në objektin banesor afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Përveç fasadës së jashtme në një pjesë të objektit e cila ka rënë në tokë duke dëmtuar veturat afër ndërtesës, fatmirësisht ka kaluar pa pasoja tjera”, thuhet në një njoftim të Komunës së Skenderajt.

Deri më tani nga stuhia nuk është raportuar për të lënduar në asnjë komunë, por sipas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, mot i ngjashëm do të mbajë edhe ditët në vazhdim. 

Me mot të ngjashëm janë përballur edhe vendet e rajonit gjatë ditës së martë, ku të paktën dy persona raportohet të kenë vdekur në Malin e Zi, derisa në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë janë raportuar dëme të konsiderueshme materiale.