LAJMET E MBRËMJES

Strohmeyer: Për mua, Kadri Veseli ishte kurrkushi, s’e di cili ishte roli i Rexhep Selimit

Këshilltari ligjor në Administratën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Hansjoerg Strohmeyer, ka mohuar se e ka parë Hashim Thaçin duke dhënë urdhra gjatë kohës sa ishte në Kosovë. Ndërsa për Kadri Veselin ka thënë se nuk e ka ditur së kush është, e për Rexhep Selimin ka shtuar se nuk i kujtohet tash roli që ai ka pasur në vitin 1999

Në ditën e dytë të dëshmisë në Hagë, Hansjoerg Strohmeyer ka thënë të martën se përshtypja e tij sa po shërbente në Kosovë ishte se Hashim Thaçi merrej me çështje politike e Agim Çeku me ato ushtarake. 
Strohmeyer ka mohuar se e ka parë Hashim Thaçin duke dhënë urdhra gjatë kohës sa ka qenë këshilltar ligjor në administratën e përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

“Por unë të paktën nuk e kam parë duke dhënë urdhër në praninë time një 
komandanti apo ndonjë personi, më janë bërë disa herë pyetje për këtë”, ka thënë ai.

Nga avokati i Veselit, Rodney Dixon, u pyet se a kishte takime apo kontakte me klientin e tij, pasi Strohmeyer kishte mbërritur në Kosovë më 12 qershor 1999.

“A jeni në dijeni se Veseli nuk ka qenë në Kosovë në pjesën më të madhe të asaj kohe?”, e pyeti Dixon dëshmitarin.

Dhe ai mohoi të ketë pasur ndonjë rol.

“Mbase unë as që e dija se kush ka qenë Veseli në atë kohë, kështu që për mua nuk ishte në interes ta dija nëse ka qenë në Kosovë apo jashtë saj. Pra, për mua zotëri Veseli ishte askushi, nuk e dija kush ishte me fjalë të tjera”, është përgjigjur Strohmeyer.

Strohmeyer ka thënë se e ka takuar një apo dy herë Rexhep Selimin, të akuzuarin tjetër të rastit të madh të Speciales në Hagë.

Megjithatë, shtoi se në atë kohë ka mundur që ta dinte rolin e Selimit, por që tashmë nuk i kujtohet.
Strohmeyer ka thënë se në javët e para pas mbërritjes në Kosovë kishte krijuar përshtypjen se te popullsia shqiptare ekzistonte gatishmëria për hakmarrje ndaj serbëve. 
Ai dëshminë do ta vazhdojë edhe të mërkurën.

Në këtë rast të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.