“Po shohim shumë gjëra për të cilat kemi reaguar, sidomos në rastin e Kosovës, me veprime unilaterale, të cilat kanë nxitur shqetësim për ne. Kjo krijon frikë në anën tonë se Kosova mund të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano
Për shkak të “veprimeve të njëanshme”, Kosova mund të mbetet prapa dhe jashtë proceseve integruese, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, në një konferencë shtypi të mërkurën në Bruksel, rreth rrezikut që procesi i dialogut të hyjë në një “status quo” të re, Stano ka thënë se BE-ja nuk ka frikë porse frikësohet që Kosova mund të ngecë për shkak të veprimeve të njëanshme.
“Po shohim shumë gjëra për të cilat kemi reaguar, sidomos në rastin e Kosovës, me veprime unilaterale, të cilat kanë nxitur shqetësim për ne. Kjo krijon frikë në anën tonë se Kosova mund të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa”, ka thënë ai. “Ne nuk i frikësohemi një status-qoje, nuk i frikësohemi asgjëje në këtë aspekt. Frikësohemi vetëm se njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë mund të mbesin jashtë nga ajo që është aty për ta nga procesi i anëtarësimit. Kemi reaguar në javët e fundit, veçanërisht për vendimet e njëanshme nga pala e Kosovës. Këto kanë ngritur shqetësimin, së bashku me mënyrën e komunikimit nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Këto krijojnë frikë te ne, që Kosova mund të mbetet jashtë dhe prapa”.
Stano ka theksuar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, janë duke punuar me partnerët në rajon dhe me ndërkombëtarët për të mundësuar që të dyja palët të fillojnë të bëjnë hapa që do të lejojnë të vazhdohet në dialog. Zëdhënësi i BE-së ka përsëritur thirrjet e Brukselit zyrtar që Kosova dhe Serbia t’i kthehen sjelljes konstruktive si dhe zbatimit të detyrimeve nga dialogu.
“Ne po e vazhdojmë punën tonë. Përfaqësuesi i posaçëm Lajçak, si dhe përfaqësuesi i lartë, Borrell, janë duke vazhduar punën me partnerët, si me ata në rajon ashtu edhe me ata në skenën ndërkombëtare për t’u ndihmuar të dyja palëve që të nisin të bëjnë hapa, të cilët do t’u mundësonin avancimin në të gjitha çështjet në dialog, në të gjitha çështjet ku nuk ka pasur progres deri më tash dhe në të gjitha çështjet që duhet të avancojnë, sidomos në implementimin e gjithë asaj që është arritur vitin e shkuar si në Bruksel ashtu edhe në Ohër”, ka bërë të ditur Stano.
Kosova në fakt edhe ka ngecur dhe ka ngelur jashtë proceseve integruese. Është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe i tërë kontinentit evropian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE por ende nuk ka as status të vendit kandidat. Kanë kaluar më shumë se një vit qëkur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE ndërsa kërkesa e saj nuk është shqyrtuar fare nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Këtë e kanë konfirmuar në një përgjigje për KOHËN edhe nga Presidenca belge e BE-së, duke thënë se fati i aplikimit të Kosovës varet edhe nga progresi në dialogut.
Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimorë ndaj të cilit BE-ja ka vendosur sanksione, apo siç i quan “masa kufizuese”, që përfshinë edhe suspendimin e një pjese të ndihmës financiare të BE-së.
Kosova vazhdon që ta kërkojë heqjen e këtyre masave porse në Bruksel kanë thënë se pas zhvillimeve ë fundit, kjo gjë “nuk duhet reale në këtë moment”.
BE-ja edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) javën e shkuar e kanë qortuar Kosovën për disa veprime që i kanë quajtur “të njëanshme dhe të rrezikshme”, përkitazi me vendimin e Bankës Qendrore (BQK) për përdorimin e euros si valutë të vetme në qarkullim në Kosovë.