LAJMET E MBRËMJES

Stano: Pa themelimin e Asociacionit, Kosova rrezikon rrugëtimin evropian

Në mungesë të veprimit në funksion të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova mund të rrezikojë rrugëtimin evropian, përsëritën të martën nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se mungesa e rezultateve në këtë drejtim do të shihet si sinjal se Kosova nuk dëshiron të ecë në drejtim të normalizimit të raporteve me Serbinë, e që, sipas tij, kjo gjë tash është e lidhur me përparimin e saj drejt integrimit evropian

Nëse Kosova nuk është në gjendje të jep rezultate në drejtim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë nuk do të shihet si sinjal pozitiv se dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që tash është e lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit në BE.

Bashkimi Evropian ka përsëritur edhe të martën thirrjen për Kosovën që të themelojë Asociacionin.

Këtë e ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se çfarë bën bashkësia ndërkombëtare për të siguruar themelimin e Asociacionit.

“Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë dhe një obligim i Kosovës për një kohë të gjatë dhe duhet të zbatohet me urgjencë. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë, atë të liderëve evropianë. Nëse Kosova nuk është në gjendje të jep rezultate në këtë drejtim, atëherë nuk do të shihet si sinjal pozitiv se dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që tash është e lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit në BE”, ka thënë Stano.

Ndërkaq zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë pohuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës, për çka edhe qeveritë e mëhershme të Kosovës kanë marrë përgjegjësi, së pari duke u pajtuar për këtë gjë në Bruksel e pastaj edhe duke e vendosur në Kuvendin e Kosovës me shumicën e kërkuar si detyrim të brendshëm politik të Kosovës.

Prandaj, sipas tyre, kur kanë kaluar mbi 4 mijë ditë prej kur nuk është arritur marrëveshja për këtë asociacion, duhet të veprohet pa vonesa të reja në mënyrë që edhe Kosova e edhe Serbia të avancojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, por edhe të adresohen nevojat e qytetarëve të Kosovës me përkatësi etnike serbe.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë, po ashtu, se  të enjten, kur do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve, temë kyç do të jetë përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë, për çka palët kanë diskutuar edhe në takimin e javës së kaluar.