“Qëndrimi i Bashkimit Evropian është se përpos dënimit të sulmit kërkojmë edhe qartësim në formën e një hetimi të plotë. Pra, qëndrimi është se po e presim përfundimin zyrtar të hetimeve nga autoritetet e Kosovës. Kur të jetë i gatshëm raporti, e duke u bazuar në të, ne do të vendosim për hapat tanë apo për qëndrimin. Pra, kjo është në duart e autoriteteve të Kosovës”, ka thënë Stano në konferencën për shtyp në Bruksel
Bashkimi Evropian (BE) është ende në pritje të raportit nga hetimet për sulmin e fundshtatorit të vitit të shkuar në Banjskë të Zveçanit dhe deri në këtë moment nuk e ka marrë një raport të tillë nga autoritetet e Kosovës, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano.
Ai në një konferencë shtypi të mërkurën në Bruksel ka përsëritur se hetimet për sulmin e ndërmarrë nga një grup serbësh të armatosur ndodhen në duart e autoriteteve të Kosovës dhe se edhe afatet kohore varen nga këto autoritete.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian është se përpos dënimit të sulmit, kërkojmë edhe qartësim në formën e një hetimi të plotë. Pra, qëndrimi është se po e presim përfundimin zyrtar të hetimeve nga autoritetet e Kosovës. Kur të jetë i gatshëm raporti e duke u bazuar në të, ne do të vendosim për hapat tanë apo për qëndrimin. Pra, kjo është në duart e autoriteteve të Kosovës”, ka thënë Stano.
Ai ka shtuar se sulmi i 24 shtatorit të vitit 2023 ka qenë brutal dhe i rëndë dhe se BE-ja është e vetëdijshme dhe e interesuar që të shohë qartësi mbi atë se kush e ka bërë, kush e ka përkrahur grupin dhe se kush është përgjegjës për të.
“Por, për të pasur këto përgjigje duhet të shohim raportin përfundimtar e jo dokumente që publikohen nga palët. Mendoj se është proces normal ligjor që lidhet me çdo krim, me çdo sulm apo incident si ky. Ka hetime e pastaj dilet me përfundime”, ka theksuar Stano.
Këto komente Stano i ka bërë tek është pyetur për të komentuar deklaratën e ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë të martën se hetimet për Banjskën mund të zgjasin me vite.
“Presim nga Serbia që t’i hetojë, t’i ndjekë penalisht dhe t’i sjellë para drejtësisë të gjithë. Po presim nga Serbia, si shtet kandidat që po negocion për anëtarësim në BE, që ta ketë një sundim ligji e gjyqësor të pavarur që është i zoti, po them përsëri, ta hetojë, t’i akuzojë dhe t’i dënojë të gjithë përgjegjësit. Kemi parë vetëm një raport, që u quajt raport fillestar që u shpërnda nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, besoj në tetorin e vitit të shkuar. Nuk kemi parë gjë përtej saj dhe me ç’kuptoj unë në Kosovë hetimi mund të zgjasë me vite të tëra”, ka thënë Szunyog në “Interaktiv”.
Bashkimi Evropian vazhdon që ta arsyetojë mungesën e vendosjes së masave ndaj Serbisë lidhur me Banjskën me pritjet që të shohë një raport përfundimtar mbi hetimet e ndërmarra prej anës së autoriteteve të Kosovës.