Njësia Speciale Intervenuese dhe njësite të tjera të Policisë protestuan, për të dytën herë që nga 1 nëntori, para objektit të Qeverisë. Gjatë kësaj proteste, kryetari i Sindikatës së Policisë shpalosi 14 kërkesa, që përfshijnë rritjen e shtesave të rrezikshmërisë, si dhe kushtet më të mira në punë. E ministri i Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se për ta është bërë maksimumi brenda mundësive
Për të dytën herë brenda më se një muaji, pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese dhe njësive të tjera të Policisë, protestuan të shtunën para objektit të Qeverisë për të kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe vlerë më të lartë të shtesës së rrezikshmërisë.
Protesta u mbajt pasi tri javë më parë, në një takim që përfaqësues të policëve të pakënaqur patën me kryeministrin, Albin Kurti, nuk u arrit marrëveshje për jetësimin e kërkesave të tyre.
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka numëruar 14 kërkesa, mes të cilave përfshihen edhe sigurimet jetësore, pensionimi i parakohshëm në moshën 55 vjeçare, kompensimet për lëndimet e pësuara, si dhe kushtet më të mira në punë.
“Veshmbathja, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore, duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje të tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë. Nën 2 Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varët vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesat për rrezikshmëri në punë të jetë 25 deri 50 për qind e pagës bazë”, ka thënë Zeqiri.
Krahas Qeverisë, ai pati vërejtje edhe për Kuvendin, pasi tha se nuk është pranuar përgjigje për pakënaqësitë e policëve të shprehura nëpërmjet 5 mijë e 700 nënshkrimeve.
E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një reagim pas përfundimit të protestës, theksoi se është bërë maksimumi brenda mundësive për trajtimin e secilit njësit të Policisë, bazuar në meritë.
“Për detyrë e kemi të mendojmë e të përkujdesemi për tërësinë dhe kështu duke u lëshuar në secilën prej 9 agjencive ekzekutive e pastaj trajtim specifik për njësitë përbrenda secilës agjenci veç e veç, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë reale dhe qasjen e drejtë. Sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim, sepse kjo formë përveçse e dëmshme, del të jetë gjithnjë e pamundur”, ka shkruar ministri Sveçla në facebook.
Njësitet speciale të Policisë kanë protestë edhe më 1 nëntor, e një tjetër e paralajmëruar për më vonë është anuluar pas ftesës për takim me kryeministrin.
Pas kësaj, Qeveria i miratoi shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë. Sipas vendimit, shtesat sillen nga 45 e deri në 150 euro, të cilën shumë e marrin pjesëtarët e njësive elitare si shtesë mbi pagën bazë.